Vesel Krasniqi i reagon Ramush Haradinajt: Fatmir Limaj s’është pronë e askujt, marre t’i thuhet dorë e zgjatur e Serbisë

Vesel Krasinqi nga NISMA Socialdemokrate ka reaguar ndaj komenteve të fundit të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, të bëra sonte të cilat ai i ka cilësuar si “të papranueshme dhe për keqardhje”, sidomos kur drejtohen ndaj kryetarit të NISMAsocialdemokrate, Fatmir Limaj.

Në një reagim në Facebook, Krasniqi ka shprehur konsideratë për kontributin e Haradinaj dhe familjes së tij në çlirimin e vendit, por ka kritikuar ashpër fjalorin e përdorur në debatin e mbrëmshëm, që sipas tij nuk i ka hije një ish-kryeministri të vendit.

“Kryetari Limaj asnjëherë nuk ka qenë dorë e zgjatur e Serbisë, siç u tha me të padrejtë nga një bashkëluftëtar. Ai ka kontribuar për vendin si në kohë lufte, ashtu edhe në paqe,” ka theksuar Krasniqi.

Ai gjithashtu ka rikujtuar mbështetjen e pakusht të Limajt për Haradinajn në kohën kur ky i fundit u zgjodh kryeministër, duke vënë në pah se kjo ndihmë kishte ardhur për hir të stabilitetit institucional të vendit.

Krasniqi ia ka kujtuar liderit të AAK-së se ka qenë vetë ai që më herët kishte ndikuar në shpërbërjen e grupit parlamentar të NISMA-s, duke marrë deputetë të saj, përfshirë Haxhi Shalën.

“Nuk mund të thuhet se Limaj është pronë e dikujt. Ai është lider i një subjekti të konsoliduar me mbi 30 mijë mbështetës, të cilët i kanë besuar për vlerat dhe veprën e tij politike,” ka shtuar Krasniqi.

Në fund të reagimit, ai ka theksuar se NISMA Socialdemokrate mbetet e përkushtuar ndaj interesit të vendit dhe vlerave demokratike, ndërsa ka dënuar ashpër përdorimin e fjalorit denigrues në skenën politike.

“Nuk jemi pronë e askujt. Ne jemi me Fatmir Limajn dhe me NISMAsocialdemokrate,” përfundon reagimi.