Një qipriot që merr vesh shqip? Ja kush është personi që raportoi për mbylljen e stadiumit për ndeshjen me Serbinë

FIFA çuditi dy ditë më parë me vendimin për të dënuar FSHF-në, ose më saktësisht tifozët shqiptarë, për sjellje diskriminuese gjatë ndeshjes kundër Andorrës.

Pikërisht argumenti i “sjelljeve diskriminuese” është ai i cili ngre pikëpyetje të mëdha rreth këtij vendimi.

Në njoftimin e FSHF-së rreth dënimit, nuk shpjegohej se cila ishte “sjellja diskriminuese” e tifozëve shqiptarë, në një ndeshje si ajo ndaj Andorrës e cila kaloi pa incidente në tribuna.

E vetmja sjellje jashtë normave të lejuara, ishin koret kundër institucionit të futbollit e drejtuesve të saj, si dhe ato kundër Serbisë, si shenjë proteste ndaj Europianit U21 të përbashkët mes dy vendeve.

Jo një gjë e pazakontë në shumë tribuna stadiumesh në Europë.

Për më tepër, ishin kore në gjuhën shqipe, të cilat janë raportuar në organet përkatëse të FIFA-s nga delegati i caktuar nga ajo për këtë ndeshje. AI ishte qiprioti George Fantaros, ish-sekretar i përgjithshëm i Federatës Qipriote të futbollit, i cili kryen rolin e delegatit prej disa vitesh në arenën ndërkombëtare.

Në bazë të raportimit të tij për “sjelljen diskriminuese” të tifozëve në stadium, është përpiluar më pas edhe dosja disiplinore në kurriz të mbështetësve shqiptarë, që solli vendimin për mbylljen e tribunave të stadiumit për ndeshjen kundër Serbisë.