“E treta e vërteta” – Opozita fajëson VV-në për ndërprerjen e seancës, Hargreaves dhe Rohde me thirrje urgjente për krijimin e Qeverisë

Konstituimi i Kuvendit dështoi dy herë brenda kësaj jave, për shkak të mosmarrëveshjeve procedurale mes partive politike që siguruan ulëse në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Seanca e re e Kuvendit pritet të zhvillohet ditën e shtune me fillim nga ora 12:00, kjo do të jetë përpjekja e tretë që të konsolidohet qeveria.

Partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK fajësuan LVV-në se me ndërprerjen e seancave po tenton “të blejë kohë për pazare politike”, pasi sipas tyre, partia e Albin Kurtit nuk i ka votat për të zgjedhur kryeparlamentarin e as Qeverinë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, është i shprehur i bindur se Albin Kurti nuk i ka numrat.

Ai ka thënë se VV vetëm nëse bëjnë marrëveshje me Listën Serbe mund t’i bëjnë numrat.

Krasniqi tha se Elbert Krasniqi i shkruan Kurtit (AK), që i kanë katër vota të Listës Serbe.

“Nëse merren vesh me Listën Serbe i bëjnë numrat. Nëse Elbert Krasniqi ministër më ndikim u patë bë, edhe i shkruan Albin Kurtit, AK, dhe i thotë i kemi katër vota të Listës Serbe, e tani menjëherë delë Donika Gërvalla ka rrezik dojnë me na prish imazhin”, ka thënë Krasniqi në T7.

Ndërkaq, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për bllokim të procesit.

Sipas Hazirit, kryesuesi i seancës “shkeli Rregulloren e Kuvendit”, duke thirrur për konsultime politike pa pasur mandat apo autorizim për një veprim të tillë.

“Veprimet e sotme të LVV-së shpërfaqin bllokimin faktik të procesit të konstituimit të Kuvendit dhe themelimin e institucioneve të reja,” shkroi Haziri, duke e mbyllur reagimin me fjalinë: “Republika, mbi të gjitha”.

Edhe AAK ka reaguar mbi dështimin e dytë të seancës konstituive të Kuvendit, duke akuzuar LVV-në për mosmbarëvajtjen e kësaj seance.

Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se mënyra sesi Lëvizja Vetëvendosje ka zgjedhur veprimin politik në lidhje me konstituimin e Kuvendit është një kërcënim serioz për demokracinë e Kosovës.

“Mënyra e zgjedhur e veprimit politik në emër të keqinterpretimit ligjor dhe kushtetues për konstituimin e Kuvendit nga partia fituese LVV është një kërcënim serioz për demokracinë e vendit tonë”.

“Me këtë qasje dhe veprime nga LVV si parti fituese, e në mungesë të numrave për krijimin e institucioneve, nga bllokadë institucionale në konstituimin e Kuvendit të Republikës sonë, siç duket po rrëshqasim edhe drejt një grushti shteti, përderisa individë të caktuar (të zgjedhur tashmë si deputetë të rinj), me pushtet të skaduar ligjërisht dhe sipas Kushtetutës, po vazhdojnë me qeverisjen e vendit dhe po nxjerrin vendime të paligjshme”.

“Ngarkimi dhe ushtrimi i pushtetit pa mandat ligjor e kushtetues nuk mund të quhet ndryshe veçse një grusht shteti. Arsyetimet rreth vakumit institucional, përderisa shteti ka Zëvendëskryeministër, ministra dhe zëvendësministra për secilën ministri, janë të pabaza dhe nuk qëndrojnë aspak. Mjaft më me mashtrime, bllokime e izolim të vendit”, ka thënë Haradinaj.

Kutjojmë se për dështimin e kësaj seance kanë reaguar edhe Ambasadorët e Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë në Prishtinë, ku u bënë thirrje partive politike të bashkëpunojnë për tejkalimin e pengesave për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.

“Njerëzit kanë të drejtë të presim nga liderët e tyre politikë të punojnë së bashku në interes të vendit”, tha ambasadori britanik në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, në një reagim në Facebook të enjten.

Ai tha se Kosova ka nevojë “urgjente” për formimin e institucioneve të reja, pasi kanë kaluar më shumë se dy muaj nga mbajtja e zgjedhje.

Ndryshe, Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde tha se më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve, Kuvendi i Kosovës ka mbetur në bllokadë si rezultat “i taktikave bllokuese”.

“Prandaj e përsëris: Duhet urgjentisht një bashkëpunim i mirëfilltë për të siguruar funksionimin e institucioneve dhe formimin e shpejtë të një qeverie të qëndrueshme”, ka përfunduar Rohde.

Konstituimi i Kuvendit dështoi dy herë brenda kësaj jave, për shkak të mosmarrëveshjeve procedurale mes partive politike që siguruan ulëse në zgjedhjet e 9 shkurtit./Lajmi.net/