Zbulohet një skenar për zgjedhjet e reja, Haxhiu: LDK hyn në qeveri me VV-në

Baton Haxhiu beson se Albin Kurti i ka numrat për një qeveri të re, jetëshkurtër, para se vendi të shkojë në zgjedhje të reja pas një viti dhe të formohet një koalicion stabil dhe i gjerë.
Publicisti Haxhiu tha se Lidhja Demokratike e Kosovës e ka të domosdoshme një partneritet me Vetëvendosjen dhe se kjo “po shihet prej avionit”.

Por, fillimisht Vetëvendosje e kryeministrit në largim do të formojë një qeveri me shumicë të thjeshtë në koalicion me Nismën Socialdemokrate dhe pakicat jo-serbe.

“Unë mendoj që Kurti i ka numrat, por kjo drama e sotme [e të martës, v.j] vetëm e ka rritur dëshirën e minoriteteve për të përfituar shumë nga kjo situatë dhe unë besoj që nuk ka rrugë tjetër, për arsye që Kurti nuk mund ta çojë vendin në zgjedhje ai detyrohet”, tha Haxhiu të hënën në një analizë në emisionin Pressing të T7.
Situata aktuale politike i shkon për shtat më së shumti përfaqësuesve të pakicave jo-serbe, beson Haxhiu, shkruan Paparaci.

“E dimë që do të ketë marrëveshje, është problemi se çfarë marrëveshja ka – cilin kat të shtëpisë do ta rritë Veton Berisha nga kjo marrëveshje”, tha ai, duke iu referuar këmbënguljes së deputetëve të pakicave për të përfituar ministri në kabinetin e ardhshëm.

“Nëse Veton Berisha nuk e merr një ministri, ma thuaj – me 48 edhe tri bëjnë 51, pastaj 51 edhe nëntë bëjnë 60, dy të tjerë të cilët presin për të marrë ministri janë edhe tre të tjerë. Këta tre do të bëjnë gjithçka për të marrë nga një ministri”, u shpreh Haxhiu.

Sipas Haxhiut, Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt do ta ketë rrugën e njëjtë me partinë Guxo. Do të shkrihet në Vetëvendosje.

“Natyrisht ka marrëvehsje me Nismën. Por, nuk besoj që ka marrëveshje vetëm për qeverinë. Nisma, tash e tutje nuk ekziston si parti politike por ekziston si zgjatim i Lëvizjes Vetëvendosjes e cila pastaj shkrihet në Lëvizjen Vetëvendosje”, deklaroi Haxhiu. “Nisma, në fazën e parë është zgjatim i Vetëvendosjes për të hyrë në qeveri dhe e dyta, ky zgjatim shndërrohet në shkrirje”.

Megjithatë, në vjeshtën e këtij viti një skenar i ri mund të zë vend në raport me koalicionin qeverisës dhe marrëdhëniet mes subjekteve politike parlamentare.

Nga nevoja për të mbajtur qeverisjen në Prishtinë në zgjedhjet lokale që mbahen këtë vit, Lidhja Demokratike e Kosovës do ta ketë të domosdoshme një partneritet me Lëvizjen Vetëvendosje, sipas Baton Haxhiut,

“Kjo qeveri nuk mund të zgjatet më shumë sesa në zgjedhjet lokale. Në ato zgjedhje do të kemi koalicionet e tjera, për arsye se cilado prej partive – qoftë Vetëvendosje me PDK-në, qoftë Vetëvendosje me LDK-në – se kjo kafshëria harrohet pastaj dhe shkohet nga kjo arrogancë e VV-së në pragmatizëm ekstrem. Çka është ajo? Në tetor, partneri se kush do ta fitojë Prishtinën e Gjilanin, Mitrovicën e Prizrenin është marrëveshje e dy partive të mëdha që pastaj në rrugën drejt zgjedhjeve të reja e përcaktojnë koalicionin e ardhshëm”, tha Haxhiu.

“Prej avionit po shihet, prej avionit… e unë mendoj është Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila nuk e lëshon Prishtinën dhe i duhet domosdoshëm një koalicion. Prandaj unë i besoj këtij skenari”, përfundoi analizën ai.