Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar pas zhvillimeve në seancën konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, punimet e së cilës u pezulluan.
Sipas IKD-së, shkak për këtë u bë “mosvotimi i Raportit të Komisionit për Verifikimin e Mandateve dhe Kuorumit, me arsyetimin se Kryeministri dhe akterët qeveritar nuk dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre në Qeverinë e Republikës së Kosovës”.
Fillimisht, IKD në vazhdimësi ka theksuar se paqartësitë rreth çështjes së dorëheqjes së anëtarëve të kabinetit qeveritar janë krijuar si rezultat i mosrregullimit adekuat të Ligjit për Qeverinë Nr.08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Tutje, IKD ka theksuar vazhdimisht se në frymën e funksionimit të institucioneve, dispozitat kushtetuese dhe ligjore në këtë situatë duhet të interpretohen në atë mënyrë që anëtarët e Qeverisë duhet të japin dorëheqje në momentin e dhënies së betimit si deputet”, thuhet në reagim.
Për tepër sipas IKD-së, “letra e dorëzuar nga Kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti, nuk paraqet akt të dorëheqjes. Interpretimi i z. Kurti se Qeveria e tij ka statusin ekuivalent me Qeverinë në detyrë vlenë për Qeverinë si institucion dhe jo për të si kreu i saj. Përmbajtja e njoftimit të Kryeministrit tregon synimin e tij që ai të vazhdojë ta udhëheqë Qeverinë në detyrë edhe duke qenë deputet”.