Ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, aktualisht profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Enver Hasani, thotë Kuvendi i Kosovës nuk është bllokuar dhe mund të mblidhet çdo 48 orë, pasi deputetët dështuan ta konstituojnë këtë institucion.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasani e cilëson si gabim mosvotimin nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve.
Këto parti, kanë vënë në dyshim dorëheqjen e paraqitur nga Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë. Por, Hasani thotë se me betimin e tyre si deputetë, ata nuk do të mund të ushtronin asnjë funksion ekzekutiv.
Radio Evropa e Lirë: Profesor Hasani, si e shihni situatën e bllokimit të sotëm të procesit të konstituimit të Kuvendit, pasi deputetët nuk e kanë votuar raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve?
Enver Hasani: Kjo nuk mund të thuhet se është bllokim, për shkak se, sipas Rregullores (së Kuvendit të Kosovës), Kuvendi duhet të mblidhet çdo 48 orë deri në konstituim. Pra, ka një mekanizëm imunizues, që objektivisht e zhbllokon situatën.
Së dyti, mendoj që ka qenë gabim (veprimi i opozitës), për shkak se e gjithë kjo është një proces formal. Deputetët nuk e kanë certifikuar vetveten dhe në këtë kuptim, politikisht është një lloj absurdi, meqenëse ata janë të mandatuar nga populli. Mënyra se si nuk është miratuar raporti nuk është diçka e këndshme për vetë deputetët.
Radio Evropa e Lirë: Eshte publikuar një letër me dorëheqjen e Albin Kurtit (nga detyra e kryeministrit). Opozita nuk po e pranon dorëheqjen e kryeministrit. Si e komentoni këtë?