Kurti sërish shmang pyetjet për numrat në Kuvend, flet për bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut

Kryeministri Albin Kurti edhe një herë ka refuzuar t’i përgjigjet gazetarëve nëse i ka numrat për të formuar Qeverinë pas seancës së 15 prillit.

Pas përurimit të pikëkalimit të përbashkët “Hani i Elezit – Bllacë”, Kurti u pyet disa herë rreth zhvillimeve politike, por ai zgjodhi të mos japë asnjë përgjigje konkrete.

Në vend të kësaj, ai foli për bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut.

“Mbledhja e dy qeverive ka qenë në nëntor, ju po e shihni sa shpejt e mirë është realizuar në prill, urime të gjithëve. Besoj që kjo mbledhje që kemi mbajtur në nëntor në Prishtinë, mes dy qeverive, ka qenë vendimtare me protokollin e zbatimit për një realizim konkret, praktik dhe të shpejtë”, tha Kurti, duke shmangur pyetjet për shumicën parlamentare.

Kjo është hera e tretë brenda pak ditësh që Kurti iu shmanget përgjigjeve në lidhje me fatin e Qeverisë së re dhe nëse ka siguruar mbështetjen e nevojshme në Kuvend.