Flasin nga kompania e autobusëve që dyshohet se po i çojnë serbët në tubimin pro-Vuçiq në Beograd: Kush na kontrakton neve, ne vozitim

Serbë nga Kosova janë nisur për në Beograd, në përkrahje të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ka pretendimet se autobusë të kompanive kosovare po i bartin protestuesit pro-Vuçiq nga Kosova për në Beograd.

Në pamje që ka publikuar Klan Kosova shihet se kompania kosovare e autobusëve “Alba Kos” ndodhet diku në territorin e Serbisë.

Lajmi.net ka kontaktuar zyrën e autobusëve ‘Alba Kos’ ku nga atje thanë se ky rast është i vërtetë.

“Po e saktë është. Ne e kemi linjën për Belgjikë dhe ne i kemi autobusat për punë, kështu që kush na kontrakton neve, ne vozitim”, thanë nga kompania Alba Kos për Lajmi.net.

Siç ka raportuar AP, tensionet janë rritur në Serbi këtë të shtune para protestës në mbështetje të presidentit populist, Aleksandar Vuçiq, i cili u zotua ta rimarrë kontrollin pas muajve të tërë të protestave masive kundër korrupsionit që kanë tronditur kontrollin e tij të fortë mbi pushtetin./Lajmi.net/