Veton Berisha: Me Kurtin kemi sqaruar paqartësitë e së kaluarës, shprehu vullnet për përfshirje në qeveri

Deputeti i zgjedhur nga Partia Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka deklaruar se takimi i fundit që ka pasur me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ka qenë me tone konstruktive.

Ai bëri të ditur se gjatë atij takimi janë sqaruar disa paqartësi nga e kaluara dhe se është shprehur një vullnet nga ana e Kurtit për ta përfshirë komunitetin egjiptian në qeverisjen e ardhshme.

“Prej takimit të fundit, ne kemi pas një takim shumë të mirë. Jemi respektuar prej zotit Kurti, i kemi sqaruar disa paqartësi që kanë qenë prej të kaluarës. Dhe ka pas një vullnet për të na përfshirë në qeverisjen e tij”, ka thënë Berisha në Debat Plus.

Ai shtoi se ishte planifikuar edhe një takim tjetër për të vazhduar diskutimet, mirëpo ai takim ende nuk ka ndodhur.

“E dyta, prej atij takimi e kemi lënë me pas një takim të radhës, edhe mi diskutu çështjet tona. Takim i cili nuk ka ndodhur akoma. Kështu që asgjë më tepër. Përveç asaj që e kemi lenë dhe nuk ka pas takim tjetër prej atëherë”, ka shtuar Berisha.

Berisha theksoi se obligimi i tij si deputet është ndërtimi i institucioneve sa më parë dhe avancimi i pozitës së komunitetit egjiptian në Kosovë.

Ai gjithashtu deklaroi se nuk ka vija të kuqe me asnjë parti politike në vend.

“Unë kam obligim që institucionet e Kosovës me u ndërtu sa shpejt. Dhe e kam obligim që komunitet egjiptian në pozitë më të mire e të zhvilluar. Nuk kam asnjë vijë të kuqe me askënd. S’kam asnjë arsye me pas me asnjë parti. Secila parti i ka vlerat e veta”, ka thënë ndër të tjera Berisha.