Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të enjten se “kërkesat e studentëve janë përmbushur prej kohësh, ndërsa shkuarjen e studentëve me biçikleta në Strasburg e quajti “performancë për publikun e gjerë”.
Vuçiq ka thënë se kjo është një përpjekje që meriton respekt, duke pohuar se studentët i “shikon pak më mirë” se të tjerët dhe sheh se “në furgon po transportonin biçikleta”.
“Mendoj se kërkesat e studentëve janë përmbushur prej kohësh, por sa më pak mbështetje, aq më shumë janë kërkesat”, ka thënë Vuçiq për Newsmax Balkans, duke pohuar se numri i kërkesave është në rritje dhe se kërkesën e gjashtë “e ka ngritur personalisht Albin Kurti”.
Sipas Vuçiqit, “ministri i Kurtit” në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut e ka sulmuar atë “pa arsye” për shkak se ka vizituar qytetarët e atij vendi të cilët janë pranuar për trajtim në Serbi me lëndime të rënda (tragjedia nga zjarri në diskotekën në Koçan).
“Unë jam fajtori”, tha Vuçiq.
Siç raporton “N1”, Vuçiq ka theksuar se qeveria ka treguar në të kaluarën se është e gatshme të pranojë rrahje dhe të durojë poshtërimin.
“Një dozë të tillë terrori e kemi ndjerë në pesë muajt e fundit pa asnjë reagim nga organet kompetente shtetërore dhe jam krenar për kapacitetet demokratike të Serbisë. Por – fryni bilbilin dhe lidhni rripin”, tha Vuçiq.
Ai e quajti edhe një herë “kriminele” dekanen e Fakultetit Filozofik nga Nishi, Natalija Jovanoviq, e cila u plagos me thikë gjatë një proteste të fundit në atë qytet dhe e cilësoi si person që bëri thirrje për linçim të pabindurve politikë në Nish.
Vuçiq shtoi se tani shumë janë në kërkim të dialogut, sepse “e kanë të qartë se revolucioni me ngjyra ka përfunduar”.
Nuk është vonë për bisedime, jo vetëm me mua, por edhe me të tjerët, theksoi Vuçiq, duke thënë se “ky lloj terrori nuk duhet të ndodhë më kurrë”, sepse e shkatërroi ekonominë e Serbisë./telegrafi