Imam nga Shqipëria, Ahmed Kalaja, ka reaguar ashpër ndaj Ikballe Hudutit, e cila ka shprehur publikisht dëshirën për të marrë pjesë në spektaklin e njohur Big Brother.
Kalaja ka mbështetur mendimin e një gazetari, i cili tha se Huduti duket se mban shaminë vetëm për dekor, pa e lidhur me besimin dhe traditat islame.
Në një postim të tij në rrjetet sociale, Kalaja e ka quajtur Hudutin “klloune me shami”, duke e cilësuar atë si një “mutacion iranian”, që nuk ka asgjë të përbashkët me Islamin e vërtetë dhe as me traditën shqiptare islame.
Ai ka shtuar se individë të tillë si Huduti, që mbajnë shami, janë të njohur për rolin e tyre në përhapjen e destabilizimit moral dhe fetar.
“Palosje bio 8:0 ndaj rafidijes shiite. Gazetari besimtar përball kllounes mutacione me shami. Këtë femër me shami asgjë nuk e lidh me Islamin e vërtetë as traditën shqiptare islame. Ajo si shumë të tjerë dihet se nga i kanë burimet për destabilizim moral fetar e më gjërë,” shkroi Kalaja.
Ai gjithashtu iu bëri thirrje mediave që të mos i japin vëmendje Hudutit, duke thënë se ajo nuk përfaqëson as Islamin dhe as traditën shqiptare.
“Të dashura media, kllounen me shami mos e thirrni, sepse nuk përfaqëson as Islamin, as traditën. Është një mutacion iranian, po që dëshiron vëmendje. Mos ia jepni këtë kënaqësi se do dëmtoni fëmijët e familjet tuaja“, tha ai.