LVV-ja më në fund e pranoi pamundësinë e formimit të qeverisë së re pa e gjetur një partner nga ana e opozitarëve, të cilët Albin Kurti i kishte quajtur “hajvanë” kur partia e tij doli e para në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Por, Lumir Abdixhiku vendosi të mos lëvizë nga fjalët, duke refuzuar një ftesë të kryeministrit në detyrë për të diskutuar rreth një koalicioni të mundshëm. PDK-ja po pret që ajo ta marrë përsipër formimin e qeverisë së re. Ndërsa nga partia e parë thanë se “ajo çka dihet tani për tani është emri i kryeministrit” e po ashtu quajtën spekulime raportimet për një darkë Kurti- Limaj. Në partinë e dytë thonë se “nuk ka më të mirë se Bedri Hamza”. Në AAK shpresojnë për një qeveri të opozitës, por besojnë se “dikush po punon që të bëhet llugë e vendi të shkojë prapë në zgjedhje”.
“Në fund të fundit, të gjithë zgjohemi një mëngjes, e shohim cili është rezultati i zgjedhjeve…”. Kështu tha nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca të martën, duke shprehur hapur vështirësitë e kësaj partie për ta bërë një shumicë në Kuvend për zgjedhjen e qeverisë së re të vendit dhe duke konfirmuar se po e kërkonte Lidhjen Demokratike të Kosovës për të bashkëqeverisur.
Në cilësinë e kryetarit të Kuvendit, ai të martën i mblodhi 15 përfaqësues të partive politike për të folur për konstituimin e Kuvendit, që është caktuar të bëhet më 15 prill. U caktuan ulëset dhe u diskutua përmbajtja e asaj seance në të cilën pritet të zgjidhen kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët.
Konjufca tha pas takimit se LVV-ja ende nuk e ka dhënë emrin e kryetarit të Kuvendit pasi kjo çështje do t’i nënshtrohet “disa principeve”, si “përpjekja për themelimin e qeverisë”.
“Kur jemi te qeveria, është e pamundshme pa u themeluar një koalicion, i cili e krijon mazhorancën e aftë për me zgjedhë me 61 vota një qeveri të re. Prandaj të gjitha pozicionet, unë do ta kisha futur këtu edhe pozicionin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i nënshtrohen këtij principi. Kjo me siguri është arsyeja pse ende nuk e kemi një emër të qartë sa i përket kryetarit të ardhshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti e ftoi kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku për t’u takuar këtë javë, dy muaj pasi atë dhe oponentët e tjerë politikë i kishte quajtur “hajvanë”, si kulmimi i shumë ofendimeve sidomos në drejtim të partisë më të vjetër në vend.
Konjufca tha se “gjuha që duhet të përdoret gjithmonë duhet të jetë një gjuhë e bashkëpunimit, e partneritetit”, por duke tentuar t’i zbusë etiketimet e shefit të tij.
“Në fund të fundit, të gjithë zgjohemi një mëngjes, e shohim cili është rezultati i zgjedhjeve dhe e kuptojmë që politika nuk ndërtohet mbi urrejtjen dhe dashurinë. Nuk është as urrejtje as dashuri politika. Politika është me i kuptu interesat, por interesat të cilat i përfaqësojmë nuk janë tonat personale, janë të Republikës së Kosovës”, tha ai, duke shtuar se edhe për të ka dëgjuar “shprehje shumë të rënda nga ana e opozitës”. Por tha se atij nuk i ka mbetur hatri dhe se sot ia zgjatë dorën e bashkëpunimit “secilit me të cilin pajtohemi që mund të bëjmë diçka bashkë për Kosovën, për shtetin tonë”.
Por kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e refuzoi një takim me Kurtin.
“Në politikë, si në jetë, fjalët kanë peshë. Ato janë pasqyrë e karakterit, e vlerave dhe e qëllimeve. Janë reflektim i momenteve që, kur përsëriten, bëhen bindje – shpesh edhe të pakapërcyeshme. Për ne, në Lidhjen Demokratike të Kosovës, fjala është përgjegjësi. Është zotim. Është besë. Prandaj, secili – veçanërisht ata me pushtet – duhet të jenë të përgjegjshëm për fjalët që thonë dhe për bindjet që mbjellin”, shkroi ai në krye të një përgjigjeje publike të martën.
Duke thënë se anëtarët dhe votuesit e LDK-së ishin “subjekt i një gjuhe dhe mendësie që ofendon, përçan, etiketon dhe sulmon”, Abdixhiku tha se një takim i tillë nuk mund të ndodhë.
“Duket se fjalët e thëna e bindjet e ushqyera në vijimësi, nuk kanë peshë njëjtë për të gjithë. Sepse, pavarësisht të gjithë gjërave të thëna, të bëra e stërbëra, dje kam pranuar një letër nga Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, z. Kurti, për takim konsultativ mes nesh. Sado që unë dhe LDK nuk udhëhiqemi nga inati; sado që ne besojmë në dialog, bashkëpunim e komunikim njerëzor e politik; një takim i tillë – madje edhe konsultativ – do të ishte kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik”, shkroi ai ndër tjerash në një postim në Facebook.
“Mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim”, shtoi ai.
Abdixhiku shtoi se LDK njeh të drejtën legjitime, demokratike dhe kushtetuese të partisë së parë për të marrë mandatin për qeverisje.
“Dhe në rast të dështimit të saj, njeh të drejtën e secilit për të ndërtuar shumicën. Qëndrimet tona janë të qarta” shkroi ai.
Nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili, tha më herët se ka “shumë lëvizje të qëndrimeve” nga pushtetarët “nga fjalët e thëna para zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve”, por shtoi se “kjo nuk qëndron edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës”.
“Ritheksoj që kur ne kemi potencuar që nuk hyjmë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, nuk kemi vendosur kushtëzime në raport me këtë qëndrim. Sepse vetë ky qëndrim në vetëvete është parim i yni dhe është qëndrim që ne e kemi shfaqur publikisht te qytetari i Republikës së Kosovës. Dhe duhet ta kuptojmë që ky qëndrim nuk ka qenë qëndrim i kushtëzuar, ka qenë qëndrim kristal i qartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha ajo pas takimit në Kuvend.
Për LVV-në, ky ndryshim me ftesën e dërguar në LDK – mbytjen e së cilës Kurti e performonte si mbytjen e një insekti me përplasje duarsh – në demokraci “nuk është mëkat”.
“Qëllimi ynë ka qenë me e vazhdu një qeverisje siç e kemi, mundësisht pa partitë tjera opozitare. Dhe pastaj, ti e merr rezultatin e zgjedhjeve dhe e sheh se nuk ke mundur ta arrish atë qëllim. Kjo është demokracia. E ke pasë një qëllim – nuk ke mundur ta arrish. Dhe pastaj e modifikon rrugën. Nuk është kurrfarë… nuk është mëkat kjo në demokraci. Ti e vendos një qëllim. E kemi pasë qëllimin 500 mijë vota. Nuk i kemi arritë ato – tash është skenar tjetër, është skenar B”, tha Konjufca.
Ky, sipas tij, “është rasti më normal i mundshëm që unë e di në demokraci”, në të cilin ai tha se nuk sheh “ndonjë kontradiktë’.
LVV-ja shkon “me rend”, PDK-ja e pret rendin për “Bedri Hamzën kryeministër”
Partia në pushtet po bën “matematika të tjera” tash, siç konfirmoi Konjufca, i cili megjithatë pranoi se ftesa për takim i ishte dërguar vetëm LDK-së.
“Më mirë të shkohet me rend. Dhe qasja e kryeministrit ka qenë të shkohet me rend. E ka zgjedhur Lidhjen Demokratike që t’i drejtohet të parës. Kjo me thënë të drejtën është pak edhe privilegjuese”, tha ai.
Për qeverinë e re, ai tha se janë “dy skenare”. Ose “një qeveri e shkurtër deri në zgjedhjen e presidentit”, ose “skenari i dytë i një qeverie e cila është e aftë ta zgjedhë edhe presidentin”. Tha se s’mund ta thotë se për cilin nga këta skenarë është LVV-ja.
Me LDK-në, Konjufca tha se LVV-ja ishte e gatshme të negociojë deri në pozitën e kryeministrit, “por jo edhe atë pikë”.
I pyetur nëse një ftesë për takim do ta dërgonin edhe në PDK, ai tha se “nuk mund ta konfirmoj tash”.
“Ju duhet ta keni parasysh një gjë: nuk është e rastësishme që kryeministri iu ka drejtuar z. Abdixhiku”‘, tha ai. “Kryeministri e ka pasë një qëllim pse i është drejtuar Lidhjes Demokratike të Kosovës”.
Konjufca mohoi raportimet për një takim ndërmjet liderit të VV-së, Albin Kurtit dhe Fatmir Limajt të NISMA’s.
“Ne deri tash nuk kemi pasur kurrfarë takimi sa i përket subjekteve të tjera politike, akti i parë është zyrtar, që ju e keni mësuar është letra e kryeministrit për LDK-në. Gjithçka jashtë kësaj ju lus ta merrni me rezervë. Të tjerat janë spekulime” theksoi ai.
Albulena Haxhiu, gjithashtu nënkryetare e LVV-së, tha se brenda këtyre ditëve sa kanë mbetur deri te seanca konstituive e Kuvendit “do të ketë veprime tjera, do të ketë përpjekje tjera për takime”.
“Ajo çka dihet tani për tani është emri i kryeministrit. Nuk dihen emrat e personave tjerë që do të mbajnë pozicione tjera, qoftë në qeveri, qoftë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ajo çka dihet është që kryeministri i ardhshëm do të jetë Albin Kurti dhe qeveria e Republikës së Kosovës shumë shpejt do të votohet”, tha ajo.
Qeverinë, sipas saj, mund ta bëjë vetëm LVV-ja.
“Nuk mendoj që mundet opozita ta bëjë qeverinë si e vetme. Prandaj, duke qenë kështu, o e bëjmë qeverinë ne, o shkojmë në zgjedhje. Dhe ne jemi të interesuar që ta bëjmë qeverinë dhe unë jam e bindur që qeveria do të bëhet”, tha Haxhiu.
Arbër Rexhaj nga VV thotë se ende ka kohë për të analizur mundësitë dhe se Kurti është duke e shqyrtuar bashkëpunimin me parti tjera.
“Ne do të donim që me 15 prill të votohet edhe Qeveria, por deri atëherë ka kohë dhe Kurti si kryetar i VV-së, do i analizoj numrat e Qeverisë…”
Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili tha “i vjen koha edhe asaj”, kur u pyet se si do t’i përgjigjej kjo parti një ftese të LVV-së për të diskutuar në lidhje me një koalicion të mundshëm qeverisës.
“Mos të përgjigjem në diçka që ende ka karakter hipotetik”, tha ai.
Kur u pyet për një deklaratë të kandidatit të PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza se kjo parti nuk ka vija të kuqe, Ismaili u shpreh kështu: “Programi jonë, por dhe fushata jonë ka qenë përafruese dhe e hapur për të gjithë. Andaj, ideja e vijave të kuqe nuk do me thënë gjithnjë në kuptimin e koalicioneve, do të thotë në kuptimin e një diskutimi që mundet me ndodhë për diçka të caktuar, mirëpo kjo jo doemos jemi duke heq vija të kuqe ne për koalicion apo diçka të tillë. Nuk ka qenë ajo logjikë”.
Ai përsëriti qëndrimin se “i takon partisë e cila ka dalë e para ta krijojë qeverinë”.
“Në qoftë se nuk arrin, është obligim institucional i partisë së dytë që të ketë një mundësi bashkëpunimi me partitë e tjera ta formojë qeverinë”, tha ai.
Ismaili tha se është i bindur se Hamza është “mjaft i aftë për ta ndërtuar një koalicion i cili e ka në fokus zhvillimin ekonomik, përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve”.
“Mendoj që është një person që pranohet nga një shumicë e mjaftueshme në Kuvend atëherë kur i vjen rasti. Mirëpo, si me thënë, mos të bëjmë ‘hop’ ende pa mbërri në atë pozicion”, tha ai.
I pyetur për kushtet që PDK-ja mund t’i ketë për një koalicion të mundshëm me LVV-në, Ismaili tha se “nuk jemi në atë fazë”, por theksoi se preferojnë ndërtimin e një qeverie me partitë opozitare.
“Unë dëgjova më herët që po thuhet që ‘dihet emri i kryeministrit’. Në realitet emrin e kryeministrit e dinë 61 vota. Këtu përfundon”, tha ai, duke iu përgjigjur Haxhiut e cila kishte folur paraprakisht.
A mund të jetë kompromisi posti i kryeministrit?
“Shiko, ka një konsensus, mendoj, të të gjithë qytetarëve, me të gjitha librezat partiake që ekspert të qeverisjes, kryeministër të mundshëm për zhvillim ekonomik, nuk ka më të mirë se Bedri Hamza”, tha Ismaili.
Sekretari i AAK-së, Muharrem Nitaj, që ishte gjithashtu në takimin e mbajtur në Kuvend, tha se “nuk ka shenja se VV i ka siguruar numrat e nevojshëm për krijimin e qeverisë”.
“Gjithçka mbetet e hapur për opozitën, e cila si e bashkuar, e ka shumicën, sado që formulë njëkohësisht e komplikuar edhe kjo”, tha ai.
Sipas tij, “krejt po duket se dikush po punon që të bëhët llugë e vendi të shkojë prapë në zgjedhje”.