Gërvalla në KS të OKB-së: “Banjska” u udhëhoq nga Radoiçiqi i cili ka fotografi me Gjuriqin

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në seancën e sotme të Këshillit të Sigurimit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ka folur për agresionin e 24 shtatorit në Banjskë.

Gërvalla tha se më 24 shtator 2023, Kosova u bë shënjestër e një sulmi të armatosur nga një grup paramilitar me bazë dhe mbështetje në Serbi, të udhëhequr nga terroristi Millan Radoiçiq, i cili tha se ka lidhje edhe me ministrin e Jashtëm serb dhe përfaqësuesin e Serbisë në KS të OKB-së, Marko Gjuriqin.

“Më 24 shtator 2023, Kosova u bë shënjestër e një sulmi të armatosur nga një grup paramilitar me bazë dhe mbështetje në Serbi, të udhëhequr nga Millan Radoiciq, i cili publikisht njihet për lidhjet e tij me elitën politike në Serbi, duke përfshirë edhe ministrin e Jashtëm serb, Gjuriqin, këtu që është”.

“Ka fotografi publike të Radoiciqit me Gjuriqin, ulur në një kafene në Beograd, që e dëshmojnë këtë lloj lidhje. Ky ka qenë akt i hapur agresioni, kryer nga një grup me trajnim ushtarak, pajisje e logjistikë ushtarake, të gjitha këto të siguruara nga Serbia”, tha Gërvalla.

Tutje, ajo kritikoi edhe raportin e UNMIK-ut, raport ky që sipas saj, sulmin në Banjskë e quan “incident serioz”.

“Sipas Rezolutës 33/14 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kjo përbën agresion. Ta quash këtë incident serioz sigurie, siç bëhet në raportin e UNMIK-ut këtu, jo vetëm që është keq përshkrim, por është shtrembërim. Faktet janë të qarta, Serbia e ka armatosur, trajnuar e mbështetur politikisht këtë grup që përfundimisht vrau Afrim Bunjakun. Jo vetëm që ishte terrorizëm, por ishte akt i luftës”, tha ajo.

Gërvalla: Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte ekzistenciale për të ndalur gjenocidin në Kosovë

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në fjalën e saj para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kujtoi ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të ndalur gjenocidin në Kosovë.

“Ndërhyrja e NATO-s nuk ishte vetëm legjitime, ajo ishte ekzistenciale. Ajo përfaqësonte mbrojtjen e vlerave themelore të Kombeve të Bashkuara dhe të vetë njerëzimit, ndaljen e një gjenocidi që ishte në zhvillim, shpëtimin e jetëve të panumërta dhe qëndresën ndaj krimeve masive kundër njerëzimit”, theksoi Gërvalla.

Ajo shtoi se intervenimi ndërkombëtar i dha fund fushatës së gjenocidit dhe vrasjeve masive të ushtruara nga regjimi i Serbisë në Kosovë.

“Republika e Kosovës është shembulli më i mirë i asaj se si një ndërhyrje ndërkombëtare për të ndaluar gjenocidin, e pasuar nga mbështetja e palëkundur e bashkësisë ndërkombëtare, ka mundësuar ndërtimin dhe lulëzimin e një demokracie të plotë, evropiane dhe perëndimore. Përkundër kundërshtimeve të vazhdueshme nga Rusia, Serbia dhe aleatët e tyre, Kosova është shndërruar në një demokraci të konsoliduar dhe në një partnere të respektuar ndërkombëtare”, deklaroi ministrja në detyrë, Gërvalla.