Cili është suksesi dhe dështimi më i madh i qeverisë së Albin Kurtit sipas Kim Mehmetit?

Publicisti, Kim Mehmeti ka folur për suksesin dhe dështimin më të madh të Qeverisë Kurti gjatë katër viteve.

Mehmeti ka deklaruar se suksesi më i madh i qeverisë së Albin Kurtit është rikthimi i dinjitetit të popullit shqiptar.

Sipas tij para Kurtit kishte drejtues shtetesh që thonin vetëm po dhe asnjëherë jo.

“Mund të jeni popull i vogël edhe popull i varfër mirëpo ka diçka që edhe kur jeni i varfër edhe kur jeni i vogël nuk shitet e nuk jepet ajo është dinjiteti. Mua më pengonte ajo që nga pak ne u bëmë popull me drejtues shtetesh që nuk dinë të thonë jo edhe që thonë vetëm po, e shkaku i kësaj unë thoja edhe them që kryeministri në detyrë Albin Kurti e ktheu pak këtë dinjitet. Ai tha ju mund të më detyroni të bëj çfarë të doni por popullin tim kjo nuk është e mirë, të paktën këtë thuaje që këtë për popullin tim unë nuk mundem ta pranoj a ju mund të më detyroni që edhe Prishtinën t’ia jap dikujt por kjo s’do të thotë unë të them po, edhe nuk them po. E pra kjo duhej të kthehej pak në politikën tonë”, ka deklaruar Mehmeti.

Ndërkaq, dështimi më i madh i Qeverisë Kurti sipas tij është mos investimi aq sa duhet në krijimin e elitave.

“Në atë pjesë unë u bashkohem kritikave që duhet të krijosh kushte që të krijohen elita. Shumë popuj janë zhdukur nga kjo botë por asnjë popull nuk është zhdukur pse nuk ka pasur politikanë e gjeneral por pse nuk ka pasur elita pse nuk ka pasur kush ta kultivoj kulturën e atij. Politika është si një buldozer që e hap rrugën nga do të ecin gjithë të tjerët shkencëtarët, shkrimtarët, profesorët arsimi e shëndetësia e tani ju duhet vetëm ta trasoni atë rrugë dhe ta hapni që këta të mund të funksionojnë lirshëm, e këtë nuk e bëri aq sa duhet as qeveria e Vetëvendosjes”, ka thënë ai.