Kanë mbetur pak ditë deri në seancën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Lëvizjet e partive tanimë kanë nisur. Se kush po i bën numrat s’po dihet ende, raporton Periskopi.
Megjithatë, Periskopi përmes burimeve të siguruara ka raportuar vazhdimisht.
Së fundmi, ishte takimi i Kurtit me atë të NISMA-s, Fatmir Limajn që trazoi ujërat.
Nga partia e parë (Vetëvendosje) janë shprehur të sigurt se do ta themelojnë qeverinë Kurti 3. Por numrat s’i kanë.
Me mandatet që i ka fituar në kuvend, nëse jo me opozitën, VV’së i duhet domosdoshmërisht të ketë mbështetjen e komuniteteteve joserbe, për të arritur numrin që kërkohet.
Ndërsa, disa nga partitë e komuniteteve joshumicë kanë thënë se i kanë paraqitur kërkesat e tyre për një bashkëpunim të mundshëm me LVV-në.
Por sot Kurti hodhi akuza se Serbia i ka shënjestruar disa deputetë joserbë për të bllokuar konstituimin e institucioneve.
Kurti ka thënë se institucionet e sigurisë kanë informacione të konfirmuara lidhur me këtë dhe kjo ishte ndër çështjet që u diskutua në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës të dielën.
“Pas ndërhyrjes në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 në Republikën e Kosovës, për çfarë kemi informuar në konferencë për media bashkë me ministrin Nenad Rashiq me datë 9 mars 2025, Serbia po vazhdon përpjekjet për sabotimin e konsolidimit të institucioneve të dala nga këto zgjedhje. Presidenti i Serbisë, Vuçiq, ua ka dhënë në dispozicion burimet dhe mjetet shtetërore për këtë Listës Serbe dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq, i cili në agresionin kriminal e terrorist të Banjskës, më 24 shtator 2023, ishte nënkryetar “de jure” i Listës Serbe, kurse tani është kryetar “de facto” i këtij subjekti politik. Në shënjestër janë disa deputetë të pakicave joserbe. Institucionet e sigurisë kanë informacion të konfirmuar lidhur me këtë, dhe kjo ishte njëra ndër çështjet që shqyrtuam në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurisë së Kosovës”, ka shkruar Kurti.
PDK, LDK dhe AAK kundër koalicionit me VV-në
Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza e kishte bërë të qartë se nuk do të ketë koalicion me VV-në.
Ai kishte thënë se si PDK s’kanë asnjë komunikim me LVV-në dhe se personalisht ka thënë se preferon një koalicion me LDK-në dhe partitë e tjera që kanë ulëse në Kuvend.
“ Me LVV-në nuk kemi deri në këtë moment asnjë komunikim zyrtar. S’kemi pranu ftesë, nuk kemi bo ftesë, sepse ftesa e radha dihet qysh shkon. Mirëpo realisht për shkak të programeve, për shkak të proceseve, për mu është e prefersueshme krijimi i një qeverie me LDK-në dhe partitë e tjera që kanë ulëse në Kuvendin e Kosovës”, ka potencuar Hamza.
Edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri thotë se nuk do të përfshihen në asnjë koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas tij, nëse kjo e fundit si parti fituese e zgjedhjeve nuk arrin të formojë ekzekutivin dhe radha kalon te partitë e tjera, atëherë janë të hapur për të parë mundësinë e formimit të qeverisë.
“Roli jonë është ‘as-as’, duhet lexuar drejt. Nuk është i kushtëzuar dhe që nuk ekziston komunikim. I vetmi mungesë komunikimi që LDK-ja tani e ka është me LVV-në. S’ka as bashkëpunim partiak dhe bashkëpunimi institucional në Kuvend është bërë njëanshëm nga LDK-ja. Sa është lexuar bashkëpunim ai është diçka tjetër, por ne kemi vepruar për qëllime politike më të mëdha. Tash jemi në pozicionin e njëjtë. “Jo”-në tonë karshi bashkëpunimit me LVV-në në formim të ekzekutivit e kemi bërë të qartë. Në anën tjetër, raporti me partitë e dytë dhe partitë tjera që janë në Kuvend, AAK-Nisma dhe pakicat etnike ne kemi bashkëpunim dhe komunikim për aq sa kohë nevojë ky proces zgjedhor. Mirëpo, në shpinë me bartë dikë më jo”, kishte thënë Haziri.
Edhe, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, kishte deklaruar se nuk do të ketë koalicion me VV-në.
Ai madje kishte thënë se askush nga opozita nuk do të bashkëpunoje me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Ne jemi përcaktuar si Aleancë për koalicion të opozitës, qeveri të opozitës, nuk besoj se dikush nga opozita do të bashkëpunojë me pozitën. Po ashtu edhe NISMA është e përcaktuar për koalicion të opozitës. Nuk besoj [se do e formojë Kurti Qeverinë], nuk i kanë numrat po vonohen ashtu. Nuk mund të bëjnë, sepse nuk i kanë numrat, kanë dhjetë deputetë më pak se herën tjetër”, kishte thënë Haradinaj.