Pas publikimit të bisedave, Haziri: Ata që i kanë futur duart në skema, nuk janë të LDK-së

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, është deklaruar për komunikimet e brendshme të Kryesisë së kësaj partie, duke thënë se nga njohuritë që ka nuk beson se ka pasur “skemë kriminale”, dhe se në LDK nuk guxon askush të fabrikojë vota.

Në emër të LDK-së, Haziri tha se ata që kanë prekur në vota do të ballafaqohen me LDK-në së pari, e pastaj me ligjin.

“Unë kam guxim ne emër të LDK-së me thanë që ju që keni prek vota keni me u ballafaqu me LDK-në më së pari, me ligjin ma vonë… Ata nuk munden me i shpëtu edhe drejtësisë mrena LDK-së sepse na nuk pranojmë. Me dijen time, me njohuritë e mia dhe me atë që kamë mujt me përcjellë e me mbulu, LDK-ja nuk e pranon këtë lloj ndikimi e këtë skeme. Edhe kësaj here, po e them me siguri që nuk guxon kurrkush në LDK me fabriku mënyra të marrjes së votës dhe fabrikimit të votës”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, ata që kanë futur duart në skema të tilla, nuk janë të LDK-së.

“Ata që i kanë fut duart në skema, kanë pretendu me prek votën e lirë të qytetarëve në mërgatë, me zhvendos vullnetin e tyre, nuk janë të LDK-së. Janë të papranueshme për mua dhe LDK-në. Hetimi deri në fund në mënyrë që mos me na e lanë këtë dangë politike neve, sepse nuk është e jona. Nuk është LDK-ja ajo që pranon, lejon edhe toleron situate të tilla”, ka shtuar tutje Haziri.

Nënkryetari Haziri u shpreh se LDK-ja është ndërtuar me kulturën e debatit të brendshëm, teksa e veçoi veten, Arben Gashin si më të zëshmit, ku tha se të njëjtat gjëra që i flasin në Kryesi, i thonë edhe në publik.

“Unë rezervohem shumë me kategorizu nivele të tilla sepse edhe Arbeni e ka në thonjëza skemën e përmendur. Arbeni, edhe unë edhe disa tjerë që flasim mrena, njëjtë flasim edhe jashtë. Për dallim prej disa tjerëve që brenda heshtin, janë të kujdesshëm, nuk flasin hic, edhe masnej jashtë me publikun mundohen me demonstru, me dëshmu diçka tjetër, është krejt situatë tjetër. LDK-ja në këtë kulturë është ndërtu, në kulturën e debatit të brendshëm”, tha Haziri.