Deputeti i ardhshëm i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Agim Bahtiri, është i bindur se qeveria e Albin Kurtit do të marrë mbështetje nga deputetët e Nismës Socialdemokrate, duke përmendur se Fatmir Limaj është gati ta përkrahë pa asnjë kusht.
Bahtiri u shpreh se Limaj ka dhënë një kontribut të çmuar për bashkimin e vendit dhe ka mbështetur proceset për të mirën e Kosovës, pavarësisht se do të jetë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje apo jo.
“Kam njohuri se ai është në gjendje ta përkrahë Lëvizjen Vetëvendosje pa asnjë kusht, për të çuar përpara proceset që ai mendon se janë për të mirën e vendit. E vlerësoj pozitivisht dhe e falënderoj për guximin dhe bindjen e thellë që ka për të mirën e vendit,” tha Bahtiri në DTV.
Ai shtoi se kjo mbështetje do të realizohet pas përfundimit të proceseve ligjore të zgjedhjeve dhe se, siç potencoi, “deputetët kanë të drejtën të lëvizin, sepse populli i ka votuar”
Ndërkohë, anëtari i Kryesisë së Nismës Socialdemokrate, Vesel Krasniqi, ka hedhur poshtë raportimet në media që sugjeronin se tre deputetët e Nismës do të votojnë pro formimit të Qeverisë Kurti, por pa u përfshirë në koalicionin qeverisës.
Krasniqi e ka quajtur këtë informacion spekulime dhe ka sqaruar se për momentin “s’ka asnjë lëvizje” nga ana e partisë.
Ai shtoi se Nisma mbetet e përkushtuar në deklaratat e mëhershme të kryetarit të partisë, Fatmir Limaj, i cili pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, në paraqitjen e tij të parë dhe të vetme publike, refuzoi të vendosë “vija të kuqe” për Lëvizjen Vetëvendosje, duke shprehur gatishmërinë për diskutime për çështje me rëndësi nacionale.
Nisma Socialdemokrate do të ketë tre deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit ka garuar në koalicion parazgjedhor me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet përfundimtare të enjten më 27 mars dhe bazuar në to LVV-ja ka fituar 48 ulëse, PDK-ja e dyta me 24 ulëse, LDK-ja 20 dhe koalicioni AAK-Nisma 8 ulëse.