Shkaku i divorcit me Ilir Metën? Monika Kryemadhi: Fajtor mund të jetë edhe Lulzim Basha… Lulit iu refuzua viza amerikane në 2018-n

Kur divorci i çiftit më jetëgjatë në politikë, mes Monika Kryemadhit dhe Ilir Meta është zyrtar, ende nuk janë bërë me dije shkaqet që e çuan në zgjidhjen e kësaj martese.

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, e ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Opinion’ në TV Klan, shprehet se as ajo vetë nuk është e qartë përse Ilir Meta kërkoi divorcin.

Deputetja Kryemadhi hedh aludime se sipas saj shkak i divorcit mes saj dhe Metës mund të ketë qenë djegia e mandateve të deputetëve të LSI-së në atë kohë, në vitin 2019.

Kujtojmë se në atë periudhë, Kryemadhi drejtonte LSI-në, pasi Ilir Meta ishte President i Republikës.

Sa i përket djegies së mandateve, që mesa duket ka prekur edhe martesën e saj, deputetja Kryemadhi bën fajtor edhe Lulzim Bashën si drejtues i opozitës në atë kohë, i cili mori garanci për mbështetje nga Gjermania pas aktit ekstrem politik të djegies së mandateve në bllok.

Monika Kryemadhi: Me sa kam dëgjuar ka qenë djegia e mandateve. Ilir Meta ka qenë në Gjermani, mandatin do ta digjja vetëm unë, ndërkohë pjesa tjetër e kërkuan edhe ata. Mos harrojmë edhe garancinë që erdhi nga z.Basha që do dilte Kancelarja gjermane në atë kohë, do ishte ajo që do mbështeste opozitën në djegien e mandateve për të çiar vendin…sepse ishin disa procedura që për hir të së vërtetës kishin ndodhur shumë shkelje ligjore në mënyrë flagrante nga mazhoranca në atë kohë dhe e vetmja mënyrë në atë kohë që ishte reaguese ishte edhe djegia e mandateve për të vendosur në një pozicion me shpatulla pas muri Edi Ramën. Që faktikisht vendosi Edi Rama opozitën me shpatulla pas muri.

Blendi Fevziu: Në aspektin politik i bie që z.Basha ju paska thënë diçka që duhet të jesh super naiv “ta hash”, që Kancelarja gjermane del dhe përshëndet djegie mandatesh, kurse në aspektin personal z.Basha qenka shkaku i divorcit tuaj me z.Meta.

Monika Kryemadhi: Kjo është, konfliktet politike që çuan drejt një pamundësie të bashkëjetesës familjare.

Blendi Fevziu: Ka ditur gjë apo jo Ilir Meta?

Monika Kryemadhi: Jo, ka ditur vetëm për mandatin tim. Z.Basha në atë kohë dhe jo vetëm Basha por dhe shumë anëtarë të PD, deputetë apo ish-deputetë që janë sot tek z.Berisha apo në PD, kanë qenë njerëzit kryesorë të cilët kanë mbajtur kontaktet me CDU-në në atë kohë. Unë kam qenë për hyrje në zgjedhjet lokale, por gjithë ambienti politik thoshte mos hyjmë. CDU ishte ajo që i kërkoi Ilir Metës në atë kohë të bënte ndryshimin e datës së zgjedhjeve lokale. Ka pasur ndërhyrje nga jashtë për djegien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve. Se si ka qenë kjo ndërhyrje, kjo është për t’u parë që për mua kërkon investigim zyrtar. Kjo do t’i vijë në një kohë të dytë. Në këndvështrimin tim, sjellja e z.Basha ishte e shitur.