“Vetëvendosje nuk i ka numrat e mjaftueshëm për konstituim të Kuvendit”

Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje me partnerët e tij që po i quan “organik” nuk i ka numrat e mjaftueshëm të deputetëve për të përmbyllur çështjen e konstituimit të Kuvendit.

Se a mund të merr ndonjë deputet Vetëvendosje nga LDK, Haziri ka thënë se “prostitucionin politik” nuk e favorizon dhe as nuk e pret, por që në krijimin e legjislaturës së kaluar ka ndodh.

“Prostitucion politik është kur ti gjuan pa asnjë kriter, pa asnjë kusht me bind njerëz, me marr në kampin tënd për një numër, se aty nuk merret për dije deputeti, merret për dorë”

“Nëse ne vazhdojmë me udhëheqë politika të numrave, edhe fushata zgjedhore nga Vetëvendosje është udhëheq me numra, me 500 mijë, nuk u fol për diçka tjetër, u fol për 500 mijë, u fol për numër, me ja dhanë duart e lira numrat. Tash nëse vazhdon kjo me bë gjuetinë e deputetëve për numra, është fillim i keq i këtij mandati “, është shprehur Haziri.

Ai ka thënë se në LDK me siguri nuk ka emër të përveçëm i cili lëviz politikisht.

“Në LDK me siguri nuk ka emra të përveçëm i cili lëviz politikisht e mu bë nga një deputet i zgjedhun me mandat mu bë numër i dikujt. Tani interesa politike ka, ofertat politike siç duket kanë fillu në kampe të caktume politike por jo në raport me LDK-në”.