Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë vazhdoi dëshminë Nazmi Maloku, i cili njihet si “Dëshmitari C” në rastin Drenica. Ai akuzoi Sami Lushtakun për rastin e binjakëve që i kishin vdekur gjatë lindjes, duke i thënë se ai ia ka mbytur.
Këtë deklarim, ai i bëri në gjykimin për krim të organizuar dhe vepra tjera penale ndaj Sami Lushtakut, Ismet Haxhës, Rrustem Rrukollit, Fatmir Mjakut, Rexhep Xhotës, Skender Tahirit, Sheremet Jasharit dhe Bajram Dibranit.
Dëshmitari Maloku, i cili dëshminë e kishte filluar në seancën e 25 shkurtit 2025, vazhdoj të merret në pyetje nga mbrojtja e të akuzuarve.
“Sot e 100 vjet, ti m’i ke mbytë fëmijët”, tha dëshmitari Maloku.
Maloku në seancën e kaluar tregoi se ka bërë padi ndaj dy mjekëve në vitin 2002 kur gjatë lindjes i kishin vdekur dy fëmijë, e më pas ishte ftuar nga EULEX-i për të dhënë deklaratë lidhur me rastin. E të njëjtën deklaratë, sipas tij, e kishte nënshkruar në gjuhën angleze, duke shtuar se pas dy javësh EULEX-i e kishte thirrë për ta nënshkruar deklaratën në shqip. Ajo deklaratë, pretendohet se u ndryshua e doli “deklarata për grupin Drenica”.
Akuzën për rastin e fëmijëve, në seancën e sotme, dëshmitari Maloku e bëri duke i replikuar Lushtakut, i cili tha se asnjëherë nuk e ka njohur Malokun derisa ka ardhë në gjykatë për rastin “Drenica”.
“Unë e kam njoftë veç kur u ardhë në gjykatë kur ka qenë “Drenica” (në proces gjyqësor), ma herët nuk e kam njoftë. Mu po më lë përshtypje kaq shumë që po din, madje edhe për ata serbët në Beograd. Po dinë edhe kush është ky person, edhe për të gjithë”, tha Lushtaku.
“Marre duhet me të ardhë”, i tha dëshmitari, duke i kërkuar të mos i thotë spiun.
Në anën tjetër, i akuzuari Lushtaku tha se përmes avokatit të tij ka kërkuar denoncim sepse do që të zbardhet e vërteta.
“Nuk mundet ky qekaq lehtë me thanë ti je fajtor për vrasjen në vitin 2000 kur unë as lidhje as s’ta kom njoftë kurrë këtë person”, tha Lushtaku.
Ndërsa, lidhur me atë se si kishte rrjedhur ngjarja dhe burgosja e grupit Drenica, e si kishte përfunduar si dëshmitar i mbrojtur në rastin “Drenica”, Maloku u pyet nëse i kishte treguar ndokujt se kishte dhënë deklaratë për grupin Drenica, por ai mohoi se ka dhënë deklaratë për atë grup.
Por, sipas tij, kishte tentuar të takojë Sami Lushakun atëkohë në Komunë, por që nuk i ishte lejuar të hynte aty nga sigurimi.
“Une nuk kam dhanë deklaratë për grupin Drenica, unë kam shku edhe në Komunë me i tregu Samisë se çka po përgatit EULEX-i, po nuk më ka lanë sigurimi me hy”, tha Maloku.
Lidhur me pretendimin e dëshmisë ndaj grupit Drenica, Maloku e ritheksoi se nuk ka dhënë dëshmi.
“Nuk shkoj me i ba shërbim dreqit”, u shpreh ai.
Më pas, vetë i akuzuari Lushtaku pyeti Malokun se a ishin takuar ata ndonjëherë, e që ky i fundit e pohoi një gjë të tillë.
Lushtaku sqaroi se dëshmitarin Maloku nuk e kishte njohur ndonjëherë deri në ditën që kishte dalë si dëshmitar kundër tij.
“Une nuk po të akuzoj o Sami Lushtaku, po merru vesh me njerëz që në emër tanin i kanë ba senet, unë nuk kam thanë asnjëherë që më ka kërcënu Samia”, shtoi dëshmitari Maloku.
Kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj e pyeti dëshmitarin se kush ia ka ofruar deklaratën për të cilën ai ka thënë se i ishte ofruar nga EULEX-i për ta nënshkruar.
Maloku deklaroi se këtë e kishte bërë ish-prokurori i EULEX-it, Maurizio Salustro për arsye që sipas tij nuk i di.
Ai sërish mohoi se nuk ka dhënë deklaratë në EULEX kundër grupit Drenica dhe nuk kishte marrë kërcënime nga Lushtaku e as nga të akuzuarit tjerë.
“Jo, asnjë nga grupi Drenica”, tha Maloku.
Ndryshe, në këtë rast gjykimi është duke vazhduar për pikën 16, 17 dhe 18 të aktakuzës ndaj Sami Lushtakut, Ismet Haxhës, Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani, për të cilët ishte veçuar procedura.
Në këtë rast, në pikat tjera të aktakuzës ngarkoheshin: Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Ismet Haxha, Mergim Lushtaku, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, Yll Blakaj, Gzim Ahmeti, Xhevdet Zena, Mervete Hasani-Lushtaku, Agim Ukaj, Ismail Dibrani, Sami Gjoka dhe Nexhib Shatri.
Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 prill 2018, kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se kishte vërtetuar se nuk ka parashkrim të veprës penale dhe se mbrojtja nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për t’i aprovuar ato. Aktvendimin e Themelores, e kishte lënë në fuqi Gjykata e Apelit në korrik 2018.
Po ashtu, Themelorja kishte aprovuar marrëveshjen e të akuzuarës Mirvete Hasani-Lushtaku me Prokurorinë për pranimin e fajësisë ku e njëjta ishte dënuar me 3 mijë e 500 euro gjobë për veprën penale “Lehtësim të arratisjes së personit të privuar nga liria”.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 prill 2020 kishte shpallur aktgjykimin në rastin e arratisjes së ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtakut dhe të tjerëve nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), e cila kishte ndodhur në vitin 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.
Për këtë arratisje nga QKUK, gjykata e kishte liruar nga akuza Lushtakun, por e kishte dënuar me 12 mijë euro gjobë për dy arratisje të tjera që kishin ndodhur më 21 gusht 2015 dhe më 22 shtator 2015.
Përveç Lushtakut, me nga 1 mijë euro gjobë ishin dënuar edhe gardianët të cilët kishin qenë në përcjellje të Lushtakut, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena.
Ndërsa të gjithë të akuzuarit tjerë, përfshirë edhe djalin e Lushtakut, Mërgim Lushtakun si dhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj, ishin liruar nga akuza.
Por, aktgjykimi ndaj të akuzuarit Thaqi dhe Shatri ishte anuluar nga Gjykata e Apelit. Më pas, Emrush Thaqi dhe Nexhib Shatri ishin liruar në rigjykim nga akuza me aktgjykim të shpallur nga gjykatësi Agim Kuçi.
Ndryshe, prokurori i EULEX-it, Romulo Matues, kishte ngritur aktakuzë ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve më 17 nëntor 2016, të cilët i ngarkon me disa vepra penale e që lidhen me arratisjen e Lushtakut dhe të tjerëve nga QKUK, të cilët ishin dënuar në rastin e njohur si “Grupi i Drenicës”, dhe që në këtë qendër kishin shkuar për të marrë shërbime mjekësore, për shkak të problemeve shëndetësore.
Pika e parë e aktakuzës ngarkonte Emrush Thaqin se më dhe pas 20 majit 2014, duke vepruar në cilësinë e drejtorit të Qendrës së Paraburgimit të Prishtinës, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, duke shkelur qëllimshëm dhe me vetëdije një ligj i cili ndërlidhet me detyrat e tij dhe qëllimisht nuk ka zbatuar detyrat e tij, duke u mundësuar të paraburgosurve në rastin P.938/13 (i njohur si Rasti Drenica): Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha, të arratisen nga objekti i Spitalit Rajonal të Prishtinës.
Sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë me qëllim të përfitimit për vete, në formë të ngritjes në pozitë në drejtor të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, duke u mundësuar tre të pandehurve të gëzojnë masa më të lehta dhe joadekuate të sigurisë nga SHKK, gjë që u ka mundësuar atyre të arratisen nga mbikëqyrja korrektuese dhe duke e detyruar gjyqtarin të ndryshojë vendimin e 19 majit 2014, për transferimin në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë.
Aktakuza thotë se i pandehuri nuk është kujdesur për caktimin e dy rojeve të burgut për ta mbikëqyrur secilin të pandehur, nuk është kujdesur për sigurimin e pranisë së paku të një oficeri korrektues në dhomën e të pandehurit gjatë gjithë kohës, nuk është kujdesur nëse stafi ka qenë i caktuar për ruajtjen e të paraburgosurve në spital kanë qenë mjaftueshëm të kualifikuar për kryerjen e mbikëqyrjes korrektuese të të paraburgosurve të nivelit të lartë.
Më tej, thuhet se nuk është kujdesur për vendosjen e të pandehurve në dhoma të siguruara majftueshëm apo si alternativë të sigurojë dhoma mjaftueshëm në mënyrë që të parandalohet arratisja e tyre, nuk është kujdesur për pajisjen e oficerëve korrektues të caktuar për ruajtjen e të pandehurve, me mjetet e përshtatshme të sigurisë, nuk është kujdesur për mbajtjen e të pandehurve me pranga, përveç në rastet kur kjo është kërkuar për ofrimin e trajtimit mjekësor.
Po ashtu, thuhet se nuk është kujdesur për moslejimin e vizitorëve pa leje nga gjykata që të vizitojnë të pandehurit, nuk ka urdhëruar vartësit e tij zyrtarë korrektues (Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj) të caktuar për ruajtjen e të pandehurve, të bashkëpunojnë plotësisht me zyrtarët e PK-së, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes, nuk ka paraqitur kërkesë në Komisionin për Kategorizimin e të Burgosurve, të kategorizojnë të pandehurin Ismet Haxha si i paraburgosur me rrezikshmëri tejet të lartë, rrezikshmëri të lartë apo rrezik të lartë për arratisje dhe nuk ka nisur procedurë disiplinore kundër të paraburgosurit të arratisur Haxha, i cili është mbajtur në Qendrën e Paraburgimit të Prishtinës.
Në këtë mënyrë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par. 1., 2.1., 2.2 dhe 2.3 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet.
Kurse, në pikën e dytë të aktakuzës, thuhet se nga 11 nëntori 2014 deri më 22 shtator 2015, Emrush Thaqi, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të SHKK-së, keqpërdori detyrën duke mos ushtruar kontrollin ndaj njësisë vartëse korrektuese të Qendrës së Paraburgimit të Dubravës dhe i ka mundësuar të paraburgosurit të rastit P.938/13, Sami Lushtaku, të gëzojë trajtim korrektues preferencial dhe të parregullt gjatë kohës sa ka qenë në paraburgim, duke kulmuar me arratisjen e tij më 21 gusht 2015 dhe 22 shtator 2015.
Sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë me qëllim të përfitimit për vete, duke vazhduar të mbetet në pozitën e drejtorit të SHKK-së, dhe për të paraburgosurin, duke i mundësuar atij të gëzojë masa më të lehta dhe joadekuate të sigurisë nga SHKK, gjë që i ka mundësuar të arratiset.