Tetë muaj mori rrogë pa shkuar fare në punë, ky është zëvendësministri i Tregtisë, Mentor Arifaj

Aktiviteti i fundit në cilësinë e zëvendësministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Mentor Arifaj, e kishte mbajtur më 26 prill 2024. Nga kjo datë asnjë paraqitje publike për punën në ministri Arifaj nuk e ka pasur. Për më shumë se 8 muaj Arifaj nuk ka qenë fare në punë, ndërsa rrogën e benifitet i ka gëzuar bashkë me asistentin dhe shoferin e tij.

 

1 mijë e 554 euro është paga mujore e një zëvendësministri në Qeverinë e Kosovës.

Burime të Periskopit brenda Qeverisë së Kosovës kanë treguar se Arifaj për më shumë se 8 muaj nuk ka qenë fare në vendin e punës dhe as nuk është paraqitur në asnjë aktivitet të kësaj ministrie.

Për më shumë se 8 muaj i bie se zëvendësministri është paguar nga buxheti i shtetit mbi 12 mijë euro pa bërë asnjë punë të vetme.

Periskopi ka dërguar pyetje në adresën e zëvendësministrit 17 mars të këtij viti për ta pyetur se cila është arsye që nuk ka qenë në punë dhe a ka vazhduar t’i marrë pagat e beneficionet tjera, mirëpo ai nuk ka kthyer përgjigje. Po ashtu kemi tentuar të flasim përmes telefonit por nuk është përgjigjur.