S”ka qeveri të opozitës: A e konfirmoi Abdixhiku mbrëmë nga Llapi se do të qëndrojë në opozitë?

Pas një vizite në Llap të shtunën, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, falënderoi qytetarët nëpërmjet një postimi në Facebook për mbështetjen dhe paralajmëroi nisjen e turit të falënderimiy në gjithë Kosovën për 171 mijë votuesit e LDK-së. Ndër të tjera, Abdixhiku tha se ndjen “kënaqësi” të sheh “kërkesën e qartë dhe këmbëngulëse të njerëzve tanë për të vazhduar me plot insistim në rrugëtimin e përcaktuar të Lidhjes sonë.”

Ai tha se kërkesa e mbështetësve të partisë është e qartë dhe se zëri i tyre “do të dëgjohet”. “Ky zë do të dëgjohet! Le të jetë ky dhe fillimi i Turneut të Falenderimit për të gjithë 171 mijë – dhe jo vetëm – mbështetësit tanë. Do të jem në gjithë Kosovën për të ju falenderuar sa më shumë; e për të lidhë fort e ngushtë secilin hap tonin!” – tha kreu i LDK-së.

Postimi i Abdixhikut vjen në një moment të tensionuar për partinë, vetëm disa ditë pasi anëtari i saj, Avdullah Hoti, shprehu hapur pakënaqësinë e tij përmes një postimi në Facebook.

Me një gjuhë të drejtpërdrejtë, Hoti e vlerësoi rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit si një zhgënjim të thellë, duke e lidhur drejtpërdrejt me kursin – sipas tij të gabuar – që ka ndjekur Abdixhiku.

“LDK-ja ka nevojë për një lidership ekipor që i fashit përçarjet, që tregon kujdes ndaj të gjithë aktivistëve të rinj e të vjetër, që i bën bashkë të gjitha copat e LDK-së në të katër anët e vendit dhe në diasporë” – shkroi ai, duke artikuluar një nevojë urgjente për një qasje të re në drejtimin e partisë.

Sipas Hotit, ndryshimi në krye të partisë nuk është më çështje dëshire, por një domosdoshmëri për të rikthyer besimin e qytetarëve dhe për të garantuar që LDK-ja të mbetet një forcë e fortë në skenën politike të Kosovës.

“Një lidership i tillë është thelbësor për bashkimin, fuqizimin dhe kthimin e LDK-së në parimet e saj bazë, si parakusht për të rifituar besimin e qytetarëve për të udhëhequr me Kosovën. Besoj fuqishëm se i gjithë lidershipi aktual i LDK-së duhet të mbështesë këtë ndryshim në LDK, duke i hapur rrugë ndryshimit, duke u bërë pjesë e lidershipit të ri.” – shtoi Hoti mes tjerash.

Megjithëse në qendër të kësaj vorbulle, Abdixhiku zgjodhi të mos reagonte, përveç një fotografie të ngarkuar me simbolikë – ku ai shfaqej në mesin e përkrahësve të tij.

Në mbrëmjen e së shtunës, Abdixhiku theu heshtjen që nga postimi i Hotit me një deklaratë e cila mund të lexohet në dy drejtime: se gëzon përkrahjen e mbështetësve të partisë dhe do ta respektojë atë që ai e quan shpesh si “vullnet qytetar”.

“Mes njerëzve të Kosovës, aty ku buron dhe qëllimi politik. Mes mbështetësve tanë e jo vetëm, ku ndërtohet rrugëtimi ynë. Sa kënaqësi të shoh kërkesën e qartë dhe këmbëngulëse të njerëzve tanë për të vazhduar me plot insistim në rrugëtimin e përcaktuar të Lidhjes sonë. Kur zëri qytetar përputhet me angazhimin politik, ndihemi të plotësuar.” – tha Abdixhiku.