Gjermania më s’do t’i regjistrojë si shtetas serbë kosovarët, Kurti ka një thirrje për bashkatdhetarët atje

Kryeministri në detyrë Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka folur për vendimin e autoriteteve gjermane për të mos i regjistruar më shtetasit e Kosovës si shtetas serbë.

“Dje kemi marrë një lajm shumë të mirë nga ambasada jonë në Gjermani. Pas më shumë se 17 vjetëve është arritur zgjidhja me autoritetet përkatëse gjermane lidhur me çështjen e regjistrimit të shtetasve të Kosovës. Shumë prej jush padrejtësisht jeni detyruar të regjistroheni si shtetas të Serbisë në dokumentacionin gjerman, një gjë që nga sot nuk do të përsëritet më”.

Kurti meritat ia dha MPJ-së për “negocimin dhe sigurimin e këtij ndryshimi të rëndësishëm”.

“Tani është miratuar një udhëzim që siguron që të gjithë qytetarët e Kosovës të regjistrohen vetëm si shtetas të Republikës së Kosovës. Ky vendim ka hyrë në fuqi në të gjitha lanet gjermane dhe mbi 5200 qendra të regjistrit civil”.

Kurti iu bëri thirrje shtetasve të Kosovës në Gjermani që të verifikojnë dhe te korrigjojnë regjistrimin e tyre në dokumente.

“Ju bëjmë thirrje që të verifikoni dhe nëse është e nevojshme të korrigjoni regjistrimin e shtetësisë në dokumentet tuaja. Për çdo ndihmë apo informacion shtesë kontaktoni ambasadën tonë në Berlin ose misionet konsullore në Düsseldorf, Frankfurt, Munich ose Stuttgart”.

Kurti ka falënderuar “shtetin mik e partner gjerman” për eliminimin e këtij problemi./Express/