Foto e presidentes me punonjëset e AKI-së, Ramadani: Shkelje serioze, rrezikon sigurinë e tyre dhe atë kombëtare

Burim Ramadani, njohës i çështjeve politike dhe ish-kryesinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, është deklaruar rreth vizitës së presidentes Vjosa Osmani në këtë agjenci, dhe publikimin e një fotografie nga Osmani me disa punonjëse gra të AKI-së.

Ramadani, në postimin e tij të bërë në Facebook ka reaguar ashpër, duke e cilësuar veprimin e Osmanit si të paprecedent.

Edhe pse punonjëset në fotografinë e publikuar nga Osmani janë të kthyera me shpinë, Ramadani e cilëson si shkelje serioze ligjore.

‘‘E paprecedent, si asnjëherë më parë!

Ekspozimi i punonjësve të AKI (qoftë pjesë të caktuara identifikuese) përbën shkelje serioze ligjore!

Rrëzimi i investimit shumëvjeçar në mos-ekspozim të stafit rrezikon sigurinë e punonjëseve dhe sigurinë kombëtare!

Kur kjo vjen nga kreu i shtetit, po flasim për një shkelje mëse serioze!’’, ka shkruar ai.