Profesori dhe eksperti i politikës së jashtme dhe çështjeve të Ballkanit, Edward Joseph, deklaroi gjatë një interviste televizive se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mund të përballet me presione të njëjta si ato ndaj presidentit ukrainas nga Donald Trump.
I pyetur për mundësin e një presioni amerikan ndaj Kurtit për avancimin e një marrëveshje me Serbinë, Joseph tha se një gjë e tillë është më se e mundur, teksa shtoi se kryeministri i Kosovës fatkeqësisht është në pozita më të pafavorshme se Zelensky.
Në analizën e tij, profesori amerikan thotë se ndryshe nga Zelensky, Kurti nuk ka mbështetjen e plotë të BE, apo Britanisë së madhe, dhe është përballur vazhdimisht me kritika. Sipas tij politikat e Kurtit në veri të Kosovës ishin të gabuara.
“Tani, a do te jete presioni për të arritur marrëveshjen, apo diçka tjetër nuk mund ta them. Kërkesat e sakta nuk mund t’i dimë. Por nëse kryeministri Kurti rikthehet si kryeministër, atëherë ai, dhe të gjithë në Kosovë duhet të presin presion shumë të lartë nga administrata Trump. Kryeministri Kurti mund të përballet me të njëjtin trajtim si ai që Trump i rezervoi Zelenskyt. Dhe kryeministri Kurti nuk është në pozita të njëjta me Zelenskyn. Presidenti ukrainas ka mbështetje të madhe europiane, ka mbështetje të madhe nga Mbretëria e Bashkuar. Kryeministri Kurti nuk e ka këtë mbështetje. Për kryeministrin Kurti ka kundërshti dhe kritika. Nga Bashkimi Europian dhe nga Mbretëria e Bashkuar. Duhet gjithashtu të kuptojmë se kryeministri Kurti kishte kritika edhe nga administrata e mëparshme në SHBA, ajo e Biden. Prandaj kjo nuk është diçka që ka të bëjë vetëm më Donald Trumpin. Kjo ka të bëjë me frustrimin në të gjitha këto vende perëndimore me lidershipin e kryeministrit Kurti, përveç problemeve që kanë me Serbinë. Unë e pranoj këtë. Serbia është provokuese dhe nën udhëheqjen e presidentit Vuçiç, ka ndërmarrë hapa të qartë për të provokuar dhe për të destabilizuar situatën, dhe e pranoj këtë. Në të njëjtën kohë, kryeministri Kurti, në mënyrë të panevojshme ka provokuar situatën në veriun e Kosovës dhe nuk ka përmbushur përgjegjësinë e tij si kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës. Nuk e ka përmbushur këtë në drejtim të serbëve, të cilët janë qytetarë të Kosovës dhe të cilët kryeministri Kurti duhet të përpiqet ti tërheqë larg Beogradit, në vend që të ushtrojë trysni duke i bërë që të shohin nga Beogradi dhe jo Prishtina”, tha Edward Joseph.
Sa i takon idesë së hershme të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë nëpërmjet shkëmbimit të territoreve, Joseph tha se ky koncept është sa i realizushëm aq edhe i pamundur.
Sipas ekspertit të politikës së Jashtme, shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, duket disi i pamundur dhe jo në interes të SHBA-së, kjo për shkak se do t’i krijonte probleme në Bosnje Hercegovinë. Ky lloj modeli shkëmbimi territoresh sipas tij, do të frymëzonte Dodikun për shkëputje të Republikës Srbska.
“Kjo është një pyetje e drejtë. Është një pyetje e arsyeshme. Dhe sigurisht një pyetje që duhet bërë. Por ne nuk e dimë përgjigjien e kësaj pyetje. Përgjigjja e kësaj pyetje do të ishte se çfarë rreziqesh administrata Trump, do të ishte e gatshme të merrte përsipër nëse do të propozonte shkëmbim territoresh. Pasi administrata do të pranonte rreziqe shumë të larta në Bosnje dhe Hercegovinë, sepse Milorad Dodik do të përfitonte me siguri nga kjo. Ai aktualisht është në pozita jo të mira me dënimin e fundit dhe krizën në Bosnje, dhe kemi parë presidentin Vuçiç teksa udhëtoi në Banja Luka për të treguar mbështetje për të. Prandaj nëse ka shkëmbim territoresh atje, çfarë do ta pengonte Milorad Dodik, të avanconte me qëllimet e tij. Ky problem do të shkonte më pas në dyert e Administratës Trump, dhe pyetja për të dhe këshilltarët e tij do të ishte, ai i doni këto probleme? “, u shpreh profesori amerikan.
Ndërkohë sa i takon lajmeve të pak ditëve më parë, se SHBA mund të tërheqë trupat e veta nga KFOR, duke lëkundur kështu sigurinë në veriun e Kosovës, ai tha se gjithçka është e pritshme kur Trump është president. Megjithatë ai shtoi se një lëvizje e tillë nuk është aspak në interes të SHBA-së, pasi më shumë do t’i krijonte se sa do t’i zgjidhte probleme.
“Përgjigjja ime do të jetë shumë e ngjashme. Me Donald Trumpin nuk përjashton dot asgjë. Ai ka thënë në fjalimin e tij se Groenlanda do të bëhet një ditë pjesë e Shteteve të Bashkuara. E sugjeroi këtë në fjalimin e tij këtë javë në Kongres. Pra nëse ai e thotë një gjë të tillë për Groenlandën, a mund të zhvendosë trupat nga Kosova? Epo, ai është Donald Trump. Ne nuk e dimë se çfarë mund të bëjë. Por pyetja mbetet, nëse ai dëshiron pasojat e një veprimi të tillë. Kjo është pyetja. Për SHBA mbajtja e trupave në Kosova nuk ka kosto të mëdha. Pra kjo është pyetja për Donald Trumpin. A i do problemet që vijnë me këto vendime?”, përfundoi ai.