Në një kohë kur Europa duket e çorientuar dhe tepër e zënë për gjetjen e një mënyre për t’iu përgjigjur ‘tekave’ të presidentit të SHBA-së Donald Trump, Serbia po i kthehet “flirtimit” me “dashurinë e vjetër”.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç i cili ndodhet mes “hallit” të protestave masive që kanë pushtuar Beogradin prej muajsh, ka pohuar në një bisedë telefonike me despotin rus Vladimir Putin se do të marrë pjesë në paradën e ardhshme të 9 majit në Moskë.
“Kam zhvilluar një bisedë të shkëlqyer me presidentin rus Vladimir Putin për të gjitha çështjet kryesore që kanë të bëjnë me bashkëpunimin tonë dypalësh dhe konfirmova se takimi ynë në Moskë më 9 maj do të zhvillohet“, tha Vuçiç në një video-mesazh në Instagram, raporton “TASS”
Putin ka ftuar krerët e shumë vendeve në kremtimin e 80-vjetorit të Fitores së Bashkimit Sovjetik mbi Gjermaninë Naziste në Luftën e Madhe Patriotike 1941-1945, ku do të marrë pjesë edhe Vuçiç, i cili në paradat e tre viteve të fundit ka munguar për shkak të presionit perëndimor. Me ardhjen e Trump, kjo gjë duket se është zhbërë totalisht.
Gjithashtu disa vende nga ato që luftuan kundër nazizmit gjerman, fashizmit italian dhe militarizmit japonez, në veçanti, Bjellorusia, Mongolia dhe Mianmari, do të dërgojnë njësitë e tyre të paradës për të marrë pjesë në Paradën e 9 majit në Sheshin e Kuq të Moskës. Herën e fundit, trupat aleate marshuan në Sheshin e Kuq të Moskës gjatë Paradës me rastin e 65-vjetorit të Fitores në 2010.
Por nuk mbaron këtu, përveç vizitës së Vuçiç, Serbia ka vendosur të dërgojë një njësi të forcave të saj të armatosura në Moskë më datë 9 maj.
Lajmi u konfirmua nga zyra e shtypit e Kremlinit, e cila tha se Vuçiç i konfirmoi gjatë një bisede telefonike Putinit, se një njësi paradë e forcave të armatosura serbe do të arrijë në Moskë për festimin e Ditës së Fitores më 9 maj.
“Aleksandar Vuçiç ripohoi se do të vinte në Moskë për festimin e 80-vjetorit të Fitores [të Bashkimit Sovjetik] në Luftën e Madhe Patriotike [1941-1945] dhe gjithashtu do të dërgonte një njësi të forcave të armatosura serbe për pjesëmarrjen e saj në Paradën e 9 majit”, tha zyra e shtypit e Kremlinit në një deklaratë.
Në një postimi në rrjetin e tij social “Instagram”, Vuçiç tha se kishte diskutuar me Putinin për rritjen e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve, teksa nuk nguroi ta quante telefonatën mes tyre si kuptimplotë.
“Ne diskutuam bashkëpunimin me Hekurudhat Ruse, kryesisht se si dhe me cilat kushte duhet të nënshkruajmë një marrëveshje për gazin natyror përpara 31 majit, dhe situatën rreth NIS, duke pasur parasysh sanksionet e SHBA të vendosura ndaj kompanisë serbe të naftës”, përfundoi Vuçiç.
Me një BE të dobësuar përballë Trumpit dhe me protesta masive që po i tronditin pushtetin dita ditës, Vuçiç duket se po kërkon një aleat të fortë te i cili mund të mbështetet për çdo rast.