Manxhuka shpallet i pafajshëm, tre aktivistët e tjerë të LVV-së dënohen me burgim

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, është liruar nga akuza, ndërsa Egzon Azemi është shpallur fajtor dhe është dënuar me gjashtë muaj burgim për kanosje.

Fajtorë janë shpallur aktivistët e tjerë të LVV-së, Qerkin Elshani dhe Edi Zenelaj, të cilët janë dënuar me nga 6 muaj burgim.

Azemi u dënuar pasi vepra ndaj tij u ricilësua nga “nxitja e urrejtjes dhe mosdurimit” në “kanosje”.

Elshani është dënuar për kanosje, ndërsa Zenelaj për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”, pasi vepra penale ndaj tij është ricilësuar nga “kanosja”.

Kujtojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Manxhukës, Azemit, Elshanit dhe Zenelajt, se me dashje kanë kanosur të dëmtuarit, gjykatësin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special Mentor Bajraktari dhe prokurorin special Afrim Shefkiu.