Krasniqi me akuza të rënda, tregon se kur nisi manipulimi i votave të LDK-së

Kandidatja e LDK-së për deputete, Rrezarta Krasniqi nëpërmjet një postimi në Facebook ka hedhur akuza se ka pasur komisionerë të porositur për të manipuluar me votat e kandidatëve të LDK-së.

Ajo ka thënë se parregullsitë kanë nisur që në ditën e dytë të numërimit të votave.

“Angazhimi im për të denoncuar këtë fenomen të manipulimit në Vushtrri nuk ka pasur asnjë lidhje me arsye personale, por ka qenë një veprim i domosdoshëm për të luftuar padrejtësitë, për ta mbrojtur votën tuaj ndaj LDK-së dhe për të kontribuar në ndriçimin e një fenomeni që dëmton sistemin zgjedhor dhe besimin e qytetarëve”, ka thënë Krasniqi.

Ajo ka thënë se ka pasur mospërputhje në kuti të votimit me shifrat e futura në sistem.

“Fatkeqësisht, duke qenë pjesë e këtij procesi, kam pësuar edhe dëmtime personale, pasi ky angazhim ka sjellë pasiguri dhe presione të ndryshme. Reagimi im për parregullësi ka nisur me 16 shkurt kur vendimin për hapjen e kutive kam dërguar në PZAP, kjo nënkupton qartë se nuk ka të bëj asgjë personale por me fenomenin të cilin e kemi kuptuar që në ditën e dytë të procesit të numërimit dhe jo vetëm për mua si kandidate, por ka një numër të madh të kandidatëve që kanë mospërputhje në kuti të votimit karshi atyre që i kanë futur në sistem”, ka thënë Krasniqi.

“Nuk është me rëndësi sa vota kam humbur ose kam fituar personalisht e rëndësishme është tendenca e komisionerëve të porositur që dhjetëra vota kanë qenë të shkruara për kandidatin në sistem përderisa në kuti nuk kanë ekzistuar ato vota. Tendenca tjetër e tyre për manipulim ka qenë që edhe fletëvotimet e pavlefshme ku kanë qenë 11 kandidatë të votuar të bëhet e vlefshme që njërit kandidatë t’i shtohen votat. Por, raporti i detajuar i prokurorisë do t’i shpërfaq të gjitha manipulimet e tyre”, ka thënë ajo.

Krasniqi ka thënë se është duke pritur raportin e prokurorisë.

“Gjithsesi, presim raportin e prokurorisë dhe do të vazhdojmë me hapat e radhës. Vota është e shenjtë dhe do ta mbroj me çdo mjet juridik. Ju falënderoj për mbështetjen gjatë këtyre ditëve dhe përkrahjen e vazhdueshme për vite me radhë. Shihemi në sfidat e radhës”, ka thënë ajo.