Kreu i PD Sali Berisha ka bërë një premtim të guximshëm në këtë periudhë fushate elektorale për zgjedhjet e 11 majit dhe për të bindur votuesit ai ka deklaruar se nëse PD vjen në pushtet, brenda 3 muajve të parë do zhduket varfëria e skajshme.
“Ndaj dhe ne po përgatisim paketën e emergjencës, e cila tre muajt e parë do të zhdukë varfërinë e skajshme nga Shqipëria.
Varfërinë e skajshme, çdo vend i lirë, i grupit të vendeve me të ardhura si ne, e ka zhdukur.
Nuk e pranon, e përjashton nga shoqëria. Si e përjashton? Duke dhënë para, duke paguar, duke shpërndarë më mirë të ardhurat.
Shumë thjesht, do i japësh qytetarit atë mbështetje, atë pension, atë ndihmë ekonomike që e mbron nga varfëria ekstreme.
Ndaj dhe ne, 3 muajt e parë do vendosim minimumin jetik 200 euro.
Nuk është një shumë e madhe, por shoqëria në Shqipëri nuk ka më varfëri ekstreme me këtë.
Sot duhet ta dimë, 57 përqind e pensioneve janë të pjesshme. Tani nuk ka, tani ka minimum jetik 200 euro.
Ka rritje të pensionit mbi 200 euro me 20 përqind.
A është kjo tamam? Jo, nuk është tamam kjo. Se ai që është me 200 euro, nuk ka pse të blejë kafshatën me të njëjtin çmim si ai me 2 mijë euro.
Ai do ketë kartën e konsumatorit me të cilën do i kthehet mbrapsht e gjithë TVSH-ja që i paguhet për ushqimet, 20 përqind.
Pra, nuk do marrë bonuse që thotë ky, jo mo jo, kjo kartë është e barabartë me tre pensione në vite.
Pensionistët pra do kenë edhe kartën e konsumatorit.
Lista e rimbursimeve do pësojë ndryshime absolutisht bazuar totalisht në nevojat dhe kërkesat e tyre.
Sigurisht ata kanë më shumë nevojë për ilaçe. Ata kanë nevojë për shumëllojshmëri ilaçesh.
Ajo listë do rishqyrtohet dhe do plotësohet me urgjencë. Me rimbursim të plotë!
Sot, ka pensionistë që as ilaçet e dy javëve nuk i blejnë dot me pension. Çfarë bën ai? Nuk mjekohet. Ai rri në mëshirë të fatit. Të shkojë sa të shkojë. Kjo merr fund.
Askush të mos ketë as dyshimin dhe as shqetësimin më të vogël për fondet. Fondet janë që të gjitha.
Ne nuk do kemi buxhet 8 miliardë se ne do ia lëmë biznesit. Ne do ulim taksat. Por ne me 4 miliardë që e kishim buxhetin dyfishuam rroga dhe pensione dhe ndërtuam atë infrastrukturë që ndërtuam.
Natyrisht skema e pensioneve ka domosdoshmëri të reformohet, të konsolidohet.
Ne do shpërndajmë të ardhurat buxhetore duke vendosur qytetarin të parin.
Rrogën minimale, si fillim 500 euro. Do shkojë drejt rritjes. Pasojat e rritjes së rrogës minimale, do kompensohet me uljen e taksave. Por qytetarët do marrin një rrogë për të përballuar jetën.
Çmimi i energjisë për pensionistët dhe në tërësi do jetë 7 lekë.
Qiratë e ndërtesave sociale. Një pensionist deklaronte një ditë, që unë marr 130 mijë lekë pensionin, 62 mijë lekë i lë qira në banesën sociale. Imagjinoni ju si e mbyll muajin ky pensionist? Kjo merr fund. do jenë simbolike.
Nuk them që do jenë zero, por do jenë absolutisht simbolike.
Në këtë mënyrë ne çlirojmë shoqërinë nga dhimbjet e skamjes.