Shefja e Departamentit të Kardiologjisë në Spitalin “Farabi” të Universitetit Teknik Karadeniz (KTU), Prof. Dr. Merih Kutlu, tha se agjërimi ka përfitime të shumta për shëndetin e zemrës.
Kardiologu turk në një prononcim për Anadolu se agjërimi është i dobishëm për shëndetin e zemrës.
“Studimet kanë treguar se kolesteroli i keq (LDL) ulet dhe kolesteroli i mirë (HDL) rritet gjatë Ramazanit dhe muajve në vijim. Agjërimi përmirëson inflamacionin dhe ka efekte pozitive në ndjeshmërinë ndaj insulinës”, theksoi ajo.
Duke folur për përfitimet psikologjike të agjërimit, ajo tha: “Agjëruesi qëndron larg mendimeve, ndjenjave dhe sjelljeve negative. Nga ana shpirtërore pastron dhe relakson shpirtin. Të gjitha këto ulin rrezikun e sëmundjeve të zemrës, veçanërisht prirjen drejt depresionit”.
Ndërkohë, ajo paralajmëroi se agjërimi nuk është i sigurt për pacientët me insuficiencë të avancuar të zemrës dhe ata që kanë pësuar atak në zemër, kanë bërë operacion bypass apo vendosje stent në 1-2 muajt e fundit.
“Ata të cilëve presioni i gjakut është nën kontroll me ilaçe mund të agjërojnë”, tha Kutlu.
Kutlu tërhoqi vëmendjen se nuk duhet të hahet shumë ushqim gjatë iftarit. “Kur një person ha shumë, e ngarkon më shumë zemrën, që do të thotë se ndodhin rrahje të shpejta të zemrës. Zemra rreh më shpejt dhe presioni i gjakut rritet. Të gjitha këto janë të dëmshme për njerëzit me sëmundje të zemrës, sepse qarkullimi i gjakut në zemër është i dëmtuar. Studimet kanë treguar se shumica e rasteve të sulmeve në zemër gjatë Ramazanit ndodhin pas iftarit”, tha ajo, duke shtuar:
“Për personat me sëmundje të zemrës është e rëndësishme që të mos hanë shumë përnjëherë. Ata në fakt mund ta ndajnë kohën ndërmjet iftarit dhe syfyrit në tre. Hani diçka të lehtë në iftar dhe pastaj përsëri 2-3 orë më vonë dhe në fund përsëri në syfyr. Në fakt, kjo vlen për të gjithë ne.”