Hysni Gucati reagon ashpër: Gjykata Speciale e padrejtë, nuk i lejon Hashim Thaçit të vizitojë babain e sëmurë

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Speciale për të mos lejuar ish-presidentin Hashim Thaçi të vizitojë babain e tij, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Gucati e ka cilësuar këtë vendim si të padrejtë dhe çnjerëzor, duke theksuar se luftëtarët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në Hagë, ndërsa institucionet e Kosovës po zgjedhin të heshtin për këto padrejtësi.

“Njerëzit që luftuan për këtë vend dhe e bënë Kosovën shtet, sot po mbahen padrejtësisht. Në rastin e Thaçit, babai i tij është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe dëshiron të shohë e të dëgjojë zërin e djalit të tij, por kjo e drejtë po i mohohet. Kjo është skandaloze,” ka shkruar Gucati.

Postimi i plotë:

Sa e padrejtë dhe aspak njerëzore është Gjykata Speciale e tregon më së miri se si Hashim Thaçit nuk po i lejohet të vizitoj babain e tij të sëmurë i cili është duke kaluar momente të vështira si pasojë e përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore.

Kush do e mendonte një gjë të tillë që njerëzit që luftuan për këtë vend, që bënë shtetin e Kosovës të arrestohen e të mbahen padrejtësisht është më së skandaloze, sidomos në rastin e Thaçit kur babai i tij, tash e sa ditë është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe dëshiron ta shoh dhe dëgjoi zërin e djalit të tij.

Institucionet e Kosovës do duhej të merrnin masa dhe të reagonin për këto padrejtësi dhe mos respektim të të drejtave njerëzore por kan zgjedhur të heshtin.

Më këto vendime dhe qëndrime të kësaj gjykate e kuptojm sa e padrejtë dhe aspak njerëzore është Gjykata Speciale.

Sot Hashim Thaçi së bashku më çlirimtaret e tjerë do duhej të ishin pranë familjeve të tyre në Kosovë, sot më shumë së kurrë vendi ka nevojë për këta burra që bënë Kosovën shtet!