Tarës s’i jepet mundësia që të flasë 10 minuta për shqetësimin e tij, i aprovohet kërkesa që nesër të flasë me një avokat

Nesër në sallën e gjyqit dëshmitarin Ismet Tara, pritet ta marrin në pyetje ekipet e mbrojtjes, për çka dëshmitari kërkoi që të flasë fillimisht me një avokat për ta ngritur shqetësimin e tij lidhur me dokumentin të cilin e kërkoi t’i paraqitet që nga fillimi i dëshmisë së tij.

Para kësaj, Tara kërkoi që të flasë vetëm 10 minuta për atë që sipas asaj që tha ai, është shpjegim i frikës së tij, duke shtuar se pas kësaj ai do të përgjigjet, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Kam zgjedhjen për këtë proces që të kalojë në mënyrë të rregullt sikur në fillim që kemi filluar vetëm nëse më lejohet vetëm 10 minuta që të shpjegoj frikën time se pse jam i frustruar, popullatës time, ta njoftojë popullatën time këtu në seancë të hapur. Pas dhjetë minutave të dëshmisë time, pa dokumentin në lidhje me atë dokumentin që më është paraqitur prej prokurores, unë do të jem në gjendje t’i përgjigjem të gjitha prokurores në fjalë”, tha Tara.

Por, kjo u refuzua nga kryetari i trupit gjykues Charles Smith III, i cili ia rikujtoi se tashmë ata kanë zgjedhur një procedurë tjetër për ta marrë në pyetje dëshmitarin.

“Ne iu dëgjuam sot paradite, e kuptojmë pozicionin tuaj, ju refuzuat që t’iu përgjigjeni pyetjeve dhe ne tani kemi zgjedhur një procedurë tjetër. Kërkesa juaj rrëzohet, do të shihemi nesër në orën 09:00 të mëngjesit. Nesër do të fillojnë pyetjet avokatët mbrojtës”, tha ai.

Pas kësaj, dëshmitari insistoi sërish që nuk do të flasë pa e ngritur shqetësimin e tij lidhur me atë dokument.

“S’do flas pa e ngritur shqetësimin tim për dokumentin që kam parë”, tha ai.

Por, prapë ndërhyri Smitht duke i thënë se kjo mundësi iu dha me kushtin që të bëhet pas përfundimit të dëshmisë së tij.

“Na tham në fillim që do të japim mundësinë në fund të dëshmisë që ta bëjë deklaratën që kishe për ta bërë, ti nuk na e dëgjove fjalën. Kjo është zgjedhja juaj dhe ne kemi zgjedhur një procedurë tjetër”, tha Smith.

Tara insistoi për 10 minuta kohë sërish, por gjykatësi tha se i kanë dhënë kohë mjaftueshëm sot dhe tashmë për sot ka përfunduar.

“Nesër dua një avokat timin ta gjeni sot dhe t’ia shpreh sot këtë shqetësimin timin nëse doni që të vazhdoj, por prapë duhet 10 minuta para se të fillojë me përgjigjet e mia, të gjitha pyetjet çdo kush që do i bëni unë do të përgjigjem me përgjegjësinë time të plotë”, tha Tara.

“Fatkeqësisht, ju thatë që në qoftë se ia jepni dokumentin sot paradite ju do të përgjigjeshit dhe prapë nuk u përgjigjët edhe kur ua dhamë mundësinë. Ju lutem largohuni nga salla se mbaruam me ju sot”, tha Smith, duke kërkuar nga Zyra Administrative t’iu përmbushet kërkesa dëshmitarit për një avokat.

Prokurorja Vega Iodice kërkoi pranimin në prova materiale të disa pjesëve të dëshmive të mëhershme të dëshmitarit, duke përfshirë edhe deklaratën e dëshmitarit për UNMIK-un.

Sipas parashtrimit të këtyre tri dokumenteve, prokurorja tha se i kanë kufizuar materialet për intervistën e ZPS-së vetëm për ato që lidhen për njësitet e UÇK-së dhe anëtarët aktiv që operonin rreth zonës së Drenocit dhe Rahovecit më ’98-ën dhe ’99-ën.

Sipas prokurores, janë dokumente që përmendin krimet e pretenduara të ushtarëve të UÇK-së në verë të ’98-ës dhe ;99-ës e që përmenden edhe në aktakuzë.

Ndonëse dëshmitari e mohon intervistën për UNMIK-un, prokurorja tha se ajo është prima facie dhe është nënshkruar dhe formulosur sipas standardeve përkatëse.

Parashtrimin për këtë kërkesë të Prokurorisë, avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon tha se do ta bëjnë nesër.