Serbët në Leposaviq festojnë ditëlindjen e kryeterroristit, Milan Radoiçiq

Disa serbë në veri të Kosovës kanë festuar mbrëmjen e së enjtes ditëlindjen e udhëheqësit të grupit terrorist për sulmin e Banjskës, Milan Radoiçiq.

Videoja nga festimet ka qarkulluar në grupet propagandistike serbe në Telegram. Një prej tyre, “Korridor”, ka publikuar video dhe fotografi nga festimet.

“Leposaviqi uron komandantin! S’ka dorëzim”, shkruhet në mesazhin e publikuar në Telegram nga ky grup. Ndërkaq në video shihen fishekzjarrë mbi fotografinë e Radoiçiqit të shoqëruar me shkrimin “Urime ditëlindjen komandant”.

Ndaj Radoiçiqit dhe 44 personave të tjerë, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë në shtator të 2024-s për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.

Më 24 shtator të atij viti një grup i armatosur serb e pati sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Nga shkëmbimi i zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë, ndërkaq pjesa tjetër e grupit kishte ikur në drejtim të Serbisë.

Përgjegjësinë për sulmin e pati marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili tani ndodhet në Serbi. Milan Radoiçiq disa javë pas sulmit qe arrestuar në Serbi. Ai po mbrohet në liri, ani pse Prokuroria serbe e ka ngarkuar atë me dyshimet për konspiracion, armëmbajtje pa leje dhe krim të rëndë kundër sigurisë së përgjithshme.