Zëvendësministri në detyrë i Vetëvendosjes, Blerim Sallahu, pas një deklarate që bëri pak më herët duke i dalë në mbrojtje kreut të Nismës, Fatmir Limaj, i cili mbrëmë hoqi vijat e kuqe për një koalicion të mundshëm me Vetëvendosjen, ka reaguar sërish duke u përpjekur ta zhveshë nga kuptimi politik deklaratën e tij.
Ai madje tha se disa media ia keqinterpretuan qëllimshëm.
“Sqarim: Statusi im paraprak ka kuptim veç juridik e kurrsesi politik. Kjo qëllimshëm është keqinterpretuar prej disa mediave!!”, shkroi Sallahu.
Më herët, Sallahu tha se Nisma kanë të drejtë demokratike, kushtetuese dhe ligjore që pas zgjedhjeve të bëjnë koalicion paszgjedhor me partitë aktuale në skenën politike.
“Përtej shpifjeve, kritikave të pabaza, insinuatave, të bëra nga akterë politikë e parapolitikë, Fatmir Limaj dhe Nisma kanë respektuar në përpikëri koalicionin parazgjedhor me një parti në shuarje siç është AAK. Tash, Fatmir Limaj dhe Nisma kanë të drejtë demokratike, kushtetuese dhe ligjore që pas zgjedhjeve të bëjnë koalicion paszgjedhor me partitë aktuale në skenën politike. Pra, marrëveshja për koalicion parazgjedhor të subjektit politik Nisma me AAK-në është realizuar. Kësisoj sjellja e tillë është brenda rregullave demokratike”.