Ymeri: Më shqetëson kur kryeministri, që mund të jetë sërish në pushtet, i shpall luftë Prokurorisë

Analisti politik Visar Ymeri kritikoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për mospërgjigjen e tij ndaj ftesës së Prokurorisë Speciale dhe deklaratat kundrejt këtij institucioni.

Sipas Ymerit, refuzimi i Kurtit për t’u paraqitur në Prokurori, i shoqëruar me një kërcënime publike, përbën “mungesë absolute të sundimit të ligjit dhe rendit demokratik.”

“Ai ka thënë ‘nëse keni guxim, hajdeni te unë’. Ky është kërcënim kur vjen nga kryeministri. Dhe kur ke një kryeministër që jo vetëm refuzon të shkojë në Prokurori, por edhe i kërcënon ata publikisht, ky është shembulli më i qartë i mungesës absolute të sundimit të ligjit dhe rendit demokratik”, ka deklaruar Ymeri në Debat Plus.

Ymeri tha se “shqetësohet” që Kurti, potencialisht sërish në poziten e kreut të qeverisë, “i shpall luftë Prokurorisë”.

“Mua më shqetëson kur e shoh kryeministrin, i cili potencialisht mund të jetë prapë në pushtet, që i shpall luftë Prokurorisë. Kjo ‘nëse guxoni’ është një shpallje lufte”, ka theksuar Ymeri.