Mbështetje e plotë për përkushtimin në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe optimizëm për forcimin e marrëdhënieve me qeverinë e Kosovës në vitin e ardhshëm.
Këto, mes tjerash, ishin mesazhet që Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi në një letër urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, me rastin e përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
“Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju lutem pranoni urimet e mia më të përzemërta për ju dhe popullin kosovar ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë. Rrugëtimi i Kosovës si komb sovran është shënuar me qëndrueshmëri dhe vendosmëri.” – thuhet në urim.
Trump rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për përkushtimin e Kosovës ndaj demokracisë, duke nënvizuar marrëdhëniet e forta mes dy vendeve.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht Kosovën dhe përkushtimin e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike ku të gjithë qytetarët e saj mund të jetojnë dhe të lulëzojnë së bashku. Lidhjet midis njerëzve tanë janë të forta dhe ne presim me padurim t’i zgjerojmë ato lidhje, duke përfshirë rritjen e mundësive për investime, për të sjellë prosperitet më të madh për të dy kombet tona. ” – thuhet më tej.
Presidenti i 47-të i ShBA-së gjithashtu shprehu zotimin për vazhdimin e bashkëpunimit. “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën, pasi ajo forcon institucionet demokratike dhe promovon rritjen ekonomike përmes një mjedisi të qëndrueshëm dhe të drejtë biznesi.”
Ai më tej theksoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për të punuar në ndërtimin e marrëdhënieve më produktive me qeverinë e Kosovës në vitin e ardhshëm.
“Shtetet e Bashkuara mezi presin të ndërtojnë një marrëdhënie më produktive me qeverinë e Kosovës në vitin e ardhshëm. Ndërsa punojmë me Kosovën dhe fqinjët e saj për të ndërtuar një rajon më të begatë dhe më të sigurt, është e rëndësishme që Kosova të integrohet më tej me komunitetin euroatlantik. Mbështetja e palëkundur e Kosovës për Ukrainën përballë agresionit rus vlerësohet shumë.”– thuhet aty mes tjerash.