Avokati i njohur, Arianit Koci, ka reaguar pas kritikave të shumta për kompaninë “Cacttus”, e cila u akuzua për zhvillim të dobët të ueb faqes së KQZ-së.
Si përfaqësues ligjor i kësaj kompanie, Koci u shpreh se Cacttus u kontraktua nga OSBE-ja për të zhvilluar aplikacionin softuerik për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve për KQZ-në.
“Ky aplikacion është i vendosur në infrastrukturën qeveritare e cila menaxhohet nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit. CACTTUS sh.a. nuk e ka zhvilluar ueb faqen e KQZ, nuk është përgjegjëse për hostimin, mirëmbajtjen dhe mbrojtjen nga sulmet eventuale kibernetike të saj”, u shpreh ai.
Ky është postimi i plotë i tij:
DEKLARATË PËR MEDIA
Si përfaqësues ligjor i CACTTUS sh.a., sqaroj se kjo kompani është kontraktuar nga OSBE për të zhvilluar Aplikacionin Softuerik për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Ky aplikacion është i vendosur në infrastrukturën qeveritare e cila menaxhohet nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI).
CACTTUS sh.a. nuk e ka zhvilluar webfaqen e KQZ, nuk është përgjegjëse për hostimin, mirëmbajtjen dhe mbrojtjen nga sulmet eventuale kibernetike të saj.
Për çështjet që lidhen me sigurinë e infrastrukturës harduerike, sigurinë dhe mbrojtjen e infrastrukturës komunikuese elektronike dhe të të dhënave, dhe luftimin e krimit elektronik (cyber crime), si dhe funksionimin e webfaqes apo aplikacioneve të tjera softuerike brenda infrastrukturës qeveritare, përgjegjësia i takon ASHI, sipas LIGJIT Nr. 04/L-145 PËR ORGANET QEVERITARE PËR SHOQËRINË E INFORMACIONIT.
Për çdo pyetje, mediat mund të më drejtohen mua si përfaqësues ligjor i CACTTUS sh.a.
Arianit Koci, avokat i CACTTUS sh.a.