Princ Leka ka dalë me një mesazh për qytetarët e Kosovës në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke kërkuar që të ushtrohet e drejta e votës dhe të dëshmohet se Kosova është partner i besueshëm për SHBA-në.
Princi fillimisht uroi partitë politike në Kosovë për fushatën zgjedhore.
“Në këtë prag zgjedhjesh në Kosovë, dëshiroj t’ju përcjell urimet e mia dhe të përgëzoj të gjitha partitë politike për fushatën e deritanishme”, tha ai.
Më tej, Princ Leka kërkoi që qytetarët ta ushtrojnë të drejtën e votës dhe kështu ta dëshmojnë se janë partnerë të besueshëm për aleatin kryesor, Shtetet e Bashkuara.
“Pjesëmarrja në zgjedhje dhe votimi janë ndër mënyrat më të rëndësishme për të kontribuar në forcimin e demokracisë dhe ndërtimin e një të ardhme më të mirë për vendin. Gjithashtu, kjo është një mënyrë për të shprehur mirënjohjen tonë, një nga virtytet që na karakterizon, për ndihmën e vazhdueshme dhe për të dëshmuar se dimë të ndërtojmë një shtet të fortë mbi vlera demokratike. Po ashtu, tregon se jemi një partner i besueshëm për miqtë tanë ndërkombëtarë, me SHBA-në në krye, së cilës historikisht ne si shqiptarë ia dedikojmë vetë ekzistencën tonë kombëtare”, shkroi Princ Leka në Instagram.
Ky mesazh vjen pikërisht në ditën e fundit të fushatës zgjedhore, kur pak orë na ndajnë nga hapja e qendrave të votimit.
Gjatë javës së fundit, për zgjedhjet në Kosovë pati reagime edhe nga SHBA-ja. Ishte emisari presidencial Richard Grenell që tregoi se qeveria aktuale nuk është partner i besueshëm për administartën e re Trump.