Deputetja telefonon papritur Ardit Gjebrean, i bën kërkesën e vecantë: Dua të vij në “Kam Një Mesazh Për Ty”

“Para disa ditësh, marr një telefonatë nga një mikeshë shumë e dashur për mua dhe mbi të gjitha, një personalitet të cilën e vlerësoj shumë dhe mendova që do të pinim një kafe nga ato që mezi i pres, por jo.  Më tha do të dëshiroja të vija te ‘Ka Një Mesazh Për Ty’. U çudita të them të vërtetën jo se ne këtu kemi kufizime, por ajo duke qenë një personazh publik, vendosi që të marrë shpirtin me vete, të vijë këtu dhe të lërë petkun e deputetes, të politikanes, të shkrimtares, të botueses, të poeteshës dhe unë kam librin ‘Biri’ në dorë të cilin e mora thjesht për t’i thënë sa shumë e dua dhe sa shumë e vlerësoj”.

Kështu e nisi moderatori i programit  “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, prezantimin e të ftuarës së parë në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty”. Një telefonatë e papritur nga një personalitet i shquar me kërkesën për të qenë pjesë e emocioneve të shtëpisë së të gjithëve të pranishëm në studio e që ndjekin përtej saj. Të gjitha hamendësimet ‘u tretën’ me zbulimin e librit që ai mban në dorë, i shkruar nga Flutura Açka përpara se ta thërriste emrin e saj edhe për publikun.

Ajo nuk vjen si një politikane këtë herë, por “zbret te njerëzorja” siç shprehet edhe vetë, një emocion për të cilin e merr shpesh malli në politikë por që e ndien më fort se gjithçka tjetër.

Ardit Gjebrea: Jam shumë i lumtur që jemi bashkë në program dhe e di që ky do të jetë një mesazh shumë i rëndësishëm, ndoshta jo vetëm shpirtëror, por ndoshta edhe për të gjithë ata që janë si ju, në politikën e vendit. Për një moment, të kujtojnë se sa vlera të tjera ka përtej derës së parlamentit apo partisë që ju përfaqësoni.

Flutura Açka: Shpeshherë kemi nevojë për emocione të forta, emocione njerëzore, kështu që më vjen mirë që zbrita te kjo gjë njerëzore për të cilën ndonjëherë më merr shumë malli në politikë, pra më shumë jam shkrimtare, njeri, grua, nënë në këtë pozicion se politikane, megjithëse atë përqindje nuk e zhvesh dot.

Ardit Gjebrea: Jo ne nuk duam, përkundrazi në momentin që e vishni bukur, madje ta vishni sa më shumë sepse ne kemi nevojë për politikanë të cilët nuk harrojnë asnjëherë shpirtin dhe atë të vërtetën që kanë brenda, në shërbim gjithmonë të njerëzve kështu që unë për këtë vërtet ju adhuroj.