MEGJITHATË, NESËR NUK DO TË NDODHIN NDRYSHIME TË MËDHA…?!
Shkruan prof. Binak Maxharraj
Partitë politike dhe liderët e tyre zgjedhjet e nesërme po i cilësojnë si historike, ku do të ndodhin ndryshime të mëdha. Të gjitha partitë dhe liderët e tyre në fushatë premtuan shumëçka që do të bëjnë nëse vijnë në pushtet. Premtimet ishin pothuajse të ngjashme si çdo herë në zgjedhje – me premtime të mëdha që asnjëherë nuk i realizuan, ndërsa deklaratat e tyre mbetën çdo herë pas zgjedhjeve fjalë boshe, pa mbulesë. Thjesht, fushata ishte një luftë veç për të ardhur në pushtet duke premtuar gjithçka, por që më pas nuk e realizuan.
E njëjta gjë do të ndodhë edhe nesër – nuk do të ketë ndryshime të mëdha siç po pritet nga liderët e opozitës.
PDK-ja moti e ka humbur rrugën e vet në oborrin e saj, duke u sjellë vërdallë me veten. LDK-ja, me këtë “Rrugën e Re”, as vetë nuk e di se kah do ta çojë, pasi LDK-ja tradicionalisht e lëshoi rrugën e Ibrahim Rugovës, e cila e solli këtë parti aty ku është sot. Erdhen anti-rugovistët në krye të LDK-së me njëfarë “Rruge të Re” që as vetë nuk e dinë se nga do të kalojë, e kah do t’i çojë, sepse kjo rrugë anti-rugoviste nuk ka as vizion se çka do të sjellë në të ardhmen.
Pra, nesër në zgjedhjet parlamentare nuk do të ndodhë asgjë e jashtëzakonshme – do të fitojë Albin Kurti, sepse e ka mbështetjen e popullit. Ani pse liderët e opozitës shqiptare, por edhe ata të Serbisë, në krye me Vuçiqin, po mundohen t’ia mbyllin rrugën Albin Kurtit që edhe një mandat të qeverisë me vendin, ai mbetet favorit. Në mandatin e parë, Kurti e çliroi veriun, ku dikur liderët e opozitës sot bënin kontrabandë me ata në veri.
Nesër, në zgjedhjet parlamentare, edhe një herë do të tregohet se Albin Kurti është i paprekshëm, sepse atë e voton populli e jo liderët servilë të opozitës. Këtë do ta bëjnë, sepse në këtë mandat të ri Albin Kurti u ka mbetur borxh votuesve që të luftojë korrupsionin, duke e zbatuar ligjin për pasurim të paligjshëm dhe duke e zbatuar Vetingun.
Në këtë mandat të ri të LVV-së dhe Albin Kurtit, do t’i shihni “peshqit e mëdhenj” të korruptuar, të shndërruar në milionerë, të cilët do të jenë të detyruar të tregojnë se ku i morën dhe si i vodhën pasuritë e popullit. Ka shumë të tillë që do të përgjigjen para drejtësisë. Kjo është një punë dhe detyrë imediate që do të ndodhë në Qeverinë e ndryshuar të Kurtit 3.
Pra, nesër do të fitojë më i miri, e më i miri ndër të mirët është vetë Kurti – i pathyeshëm, i padorëzuar ndaj ndërkombëtarëve, sa herë që ata kërkonin kompromise. Përgjigjja e tij ishte e qartë si loti: Nuk bëj kompromise me shtetin me asnjë çmim! Motoja e tij për punën është lufta për ndërtimin e shtetit e jo e pushtetit.