“Do të shkojmë drejt destabilizimit”, paralajmërimi i Listës Serbe për situatën pas zgjedhjeve të 9 shkurtit

Nënkryetari i Listës Serbe, Dallibor Jevtiq, ka paralajmëruar destabilizim, nëse siç thotë ai, Kurti merr sërish pushtetin dhe vazhdojnë politikat e tij “kundër popullit serb” në Kosovë.

Sipas tij, zgjedhjet e 9 shkurtit janë vendimtare për ta çliruar popullin serb nga “ky regjim”.

“Këto janë zgjedhje më të rëndësishme se kurrë për shkak të asaj që ka ndodhur në botë, veçanërisht në katër vitet e fundit, pasi Albin Kurti me politikat e tij etno-nacionaliste bëri gjithçka për të dëbuar popullin serb, kur na hoqën edhe ato pak të drejta që kishim. Këto zgjedhje të 9 shkurtit janë hapi i parë drejt qëllimit tonë, që është që populli serb të çlirohet përfundimisht nga ky regjim, se në institucionet në Prishtinë ne i zëmë ato pozita që na takojnë sipas vullnetit të qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë dhe Metohi. Ato janë vendimtare për disa arsye. Ajo do të përcaktojë të ardhmen e asaj që do të ndodhë në Kosovë dhe në rajon. Nëse politikat e Kurtit vazhdojnë edhe pas zgjedhjeve, më duket se do të shkojmë drejt destabilizimit të mëtejshëm”, shpjegoi Jevtiq për RTS.

Jevtiq ka shtuar se qëllimi i tyre është të fitojnë mandatet, duke e akuzuar sërish Kurtin se po vepron kundër tyre dhe po i sulmon ata.

“Qëllimi ynë nuk është vetëm të fitojmë të gjitha 10 mandatet, por fitorja për jetën dhe mbijetesën e popullit serb. Kur shihni se në njërën anë keni Albin Kurtin, i cili bën gjithçka kundër popullit serb, dhe satelitët e tij që me të njëjtën retorikë sulmojnë Listën Serbe, bëhet e qartë se Lista Serbe është e vetmja që mbrojti sinqerisht interesat e jetës dhe mbijetesës së popullit serb. Ata janë të vetëdijshëm se vetëm Lista Serbe ka mbështetjen e Serbisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq”, përfundoi Jevtiq.