“Më parë kthehem veteran i UÇK-së”, Haradinaj i vendos vijë të kuqe koalicionit me Vetëvendosjen e Kurtit

Kandidati për kryeministër të Kosovës nga Koalicioni për Kosovën Fituese, Ramush Haradinaj në RTV21 tha se i ka vënë vijë të kuqe qeverisë Kurti 3.

“Në asnjë ofertë në asnjë situatë nuk bëhem pjesë e çfarëdo pazari politik …ma mirë kthehem veteran i UÇK-së me bashkëluftëtarët sesa me i bo një hakmarrje kaq të keqe Kosovës se është krim me mbështet atë që ka thënë Konjufca me mbështet një qeveri që s’është mirë me Amerikën , pra që është mirë me armiq tonë , nuk e bëj këtë”, tha Haradinaj në RTV21.

Haradinaj në RTV21 akuzoi qeverinë Kurti se i kanë shkaktuar pasoja punëtorëve të sektorit privat. Sipas Haradinajt qeveria ka ushtruar presion mbi bizneset.

“Duke ua nxi jetën sipërmarrësve, ata s’mundet me a bë jetën e lumtur punëtorëve të vet”, tha Haradinaj.

Ai tha se qytetarët e Kosovës të cilët po emigrojnë në Evropë punojnë në sektorin privat por që shteti atje u ka dhënë mundësi që t’i mbajnë mirë punëtorët.

“Ky i joni (Kurti) i mbyt privatët, i detyron me i qit njerëzit prej punës, psh vetëm çka i ka bërë Devollit…”, tha ai.

Sipas Haradinaj sektori privat është i traumatizuar nga Kurti.