Gjykata Themelore e Prishtinës e ka liruar Andi Pajazitin nga akuza për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” lidhur me rastin e vrasjes së gushtit të vitit 2023, në lokalin “Bon Vivant”, derisa e ka shpallur fajtor dhe dënuar me 2 vjet burgim për armëmbajtje pa leje.
Kryetari i trupit gjykues tha se veprimet e Pajazitit janë në kuadër të mbrojtjes.
“Lirohet nga ky dispozitiv i aktakuzës sepse ka rrethana që e lirojnë nga përgjegjësia penale, përkatësisht veprimet e të pandehurit janë në kuadër të mbrojtjes së nevojshme”, ka deklaruar gjyqtari.
Ndërkohë për armëmbajtje e ka dënuar me dy vjet burgim.
“Gjykata konform dispozitave ligjore i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 viteve, që do të ekzekutohet brenda 15 ditëve”, tha gjyqtari.
Aktakuza ndaj Pajazitit ishte nveprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore”gritur më 21 qershor 2024. Pajaziti ngarkohej për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” pasi që sipas Prokurorisë nga tronditja që kishte marrë prej tani të ndjerit K.R., i akuzuari pa fajin e tij dhe pa menduar për pasojat e kishte nxjerrë armën dhe kishte shtënë në drejtim të K.R.
Për këtë rast ishte i ndaluar ishte edhe N.Ll., i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprave penale”, të cilit më 5 shtator iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. Të njëjtit, pas një muaji nga kjo masë, i është ndërprerë paraburgimi, pasi nuk kishte kërkesë nga Prokuroria për vazhdimin e paraburgimit. Kurse, Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj, si të dyshuar për përfshirje në këtë rast, më 29 gusht 2023 ishin liruar nga masa e paraburgimit. I dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati.