Gucati: Veteranët e luftës kanë qenë në gjendje të keqe vetëm pas lufte edhe sot

Hysni Gucati, tani kryetar i OVL-UÇK-së dhe njëri nga ish të burgosurit në Hagë ka rrëfyer për përjetimet e tij atje bashkë me shokët e tij të luftës, disa prej të cilëve vazhdojnë të jenë në burg.

Derisa ka folur për pozitën të cilën e ka marrë si drejtor, ai thotë se nuk është i kënaqur pasi shokët e tij të luftës vazhdojnë të jenë në burg.

Në lidhje me përkrahjen e Qeverisë për veteranët dhe shokët e tij të luftës, Gucati ka dhënë kritika.

“Një Qeveri që nuk e viziton Organizatën e Veteranëve të Luftës, një Qeveri që nuk i viziton bashkëluftëtarët tonë që janë në Hagë atje, kryeministrin, dy kryetarët e parlamentit, Rexhep Selimin, Sali Mustafën, Pjetër Shalën dhe të tjerët tash që janë atje për mua është non sens”, ka thënë Gucati në një intervistë për lajmi.net.

Ai ka thënë se kjo Qeveri nuk e meriton emrin Qeveri pasi që sipas tij kryeministri i vendit do të duhej të bënte së paku një vizitë në Hagë gjatë 4 viteve të tij në pushtet.

Sipas tij, veteranët e luftës në gjendje kaq të keqe shëndetësore kanë qenë vetëm pas luftës dhe sot.