Shumica e deputetëve, as gojën nuk e kanë hapur për katër vjet

Shkruan: ANALISTI-Blerim Burjani

Kjo ishte legjislatura më e dobët e mundshme në historinë e demokracisë së Kosovës. Ndonëse një subjekt politik kishte shumicën parlamentare, produktiviteti ishte i dobët. Këta që ishin në pushtet, pothuajse shumica, nuk meritojnë më të votohen fare.

-Fatkeqësisht, shumica e tyre nuk kanë qenë fare aktivë; as gojën nuk e kanë hapur për katër vjet për të folur dhe për të qenë kontributdhënës. Pra, në mesin e tyre ka nga ata që nuk kanë folur asnjëherë, por vetëm kanë ngritur duart. Njerëz të tillë nuk duhet të kandidohen fare.

Mungesat e shumta dhe mungesa e kuorumit nuk mund të arsyetohen. Kjo nënkupton se i është shkaktuar dëm buxhetit, pa ndonjë përfitim për qytetarët. Nuk mendoj se duhet të kandidohen më njerëz të tillë që marrin paga pa arsye.

Nuk ka arsyetim për mungesën e kuorumit për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Dëmi është i madh. Duhet që, nëse një deputet nuk vjen tri herë pa arsye në seanca, të largohet nga Kuvendi. Prandaj, duhet të ndryshohet ligji për deputetët.