Abdixhiku: Turp për Kosovën që ushtari duhet të punojë në ndërtimtari

Kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se është turp për Kosovën, që ushtari i saj të punojë në punë të dytë pas orarit, fakti që paga që merr është e ulët.

Madje në emisionin “Rubikon” të Klan Kosova, Abdixhiku tha se Qeveria Kurti nuk ka investuar aq sa duhet në FSK, transmeton Klankosova.tv.

“Çështjen e ushtrisë dhe NATO-s, përveç që e kam bindje personale, e kam dhe detyrë ideologjike të përfaqësimit të LDK-së. Stacioni përfundimtar i sigurisë së Kosovës është NATO. Për aq sa NATO është aktive, dhe duket që është aktive”.

“Te na memoria kolektive është shumë e shkurtër, kur e bëjnë pa pikë marreje, kjo më brengos. Thonë se e kemi rritur 200 për qind investimet në ushtri, se ju s’keni bë asgjë. Po ne s’kemi pasur ushtri hiç. Ka qenë një plan 10-vjeçar pasi është krijuar ushtria. Ata kanë investuar më pak se plani”, tha ai.

“Kur flasim për ushtrinë, kemi sot ushtarët e Kosovës me paga minimaliste, me 500 euro. Udhëtojnë prej Istogut në Gjilan, se s’kanë kampuse as bazike. Bëjnë punë të dytë. A na vdiq një ushtar në ndërtim? Çfarë turpi është kjo për Kosovën. Ushtari i Kosovës duhet të punojë në ndërtimtari pas orarit të punës. Kjo është gjendja e Ushtrisë së Kosovës”, u shpreh Abdixhiku.