Ministri Peci paguan “shofer” që nuk shkon kurrë në punë, nënshkruan dikush tjetër për të – shokët e tij i shpërblen me grante 100 mijë €

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka të punësuar një person si shofer, por që ky nuk shkon asnjëherë në punë. Madje, nënshkrimet për të i bën dikush tjetër – kjo pasi këto nënshkrime janë të ndryshme. Por, kjo nuk është e gjitha. Ministri Peci gjatë mandatit të tij i ka shpërblyer me grante qindra mijëra euroshe edhe shokët e të ashtuquajturit “shoferi i Pecit”.

Pas një hulumtimi të bërë nga Periskopi dhe dokumenteve të siguruara, gjen se ministrin Peci nuk e shoqëron me veturë Besnik Syla, që sipas kontratës do duhej të ishte shoferi i tij. Madje ky i fundit, siç mëson Periskopi nuk ka shkuar në punë kurrë.

Nënshkrimet më poshtë e pasqyrojnë atë që u cek më lartë, se për z. Syla nënshkruan dikush tjetër, e jo ai.

Por, në krah të Besnik Sylës përfitojnë edhe dostat e tij. Xhem Beqiraj, është njëri ndër ta.

Ai është përfitues i një granti 100 mijë eurosh për ndërtimin e depos për ruajtjen e perimeve pas vjeljes dhe blerja e mekanizmit të nevosjshëm për kultivimin e perimeve.