Tash e disa ditë kryeministri Albin Kurti me disa nga ministrat e tij janë parë nëpër disa tubime të vogla në qytete të ndryshme. Të enjten ndërkaq, ata do të qëndrojnë në Ferizaj. Mes tjerash, nga deputetë të pushtetit nga kjo komunë është bërë me dije se shefi i Qeverisë do të pijë kafe me të rinjtë nga ora 18:30.
Në njoftim i shpërndarë nga disa zyrtarë të VV-së gjatë ditës së sotme, thotë si vijon:
“Sot Kryeministri me ministra janë në Ferizaj!
Prej orës 𝟏𝟔:𝟑𝟎 𝐧ë 𝐓𝐞𝐚𝐭𝐫𝐢𝐧 𝐀𝐝𝐫𝐢𝐚𝐧𝐚; dhe
Prej 𝟏𝟖:𝟑𝟎 𝐧ë 𝐋𝐨𝐟𝐭, kafe me të rinjtë me Kryeministrin!
Mirësevini!”
Megjithatë, në adresën e Nacionales kanë arritur disa mesazhe që tregojnë se si po tenton Lëvizja Vetëvendosje t’i mbledh të rinjt për të marrë pjesë në këtë takim me kryeministrin.
VV duket se ka aktivizuar nxënësit, ata nën moshën 18 vjeçare të cilët nuk kanë të drejtë vote, për të bërë thirrje te kolegët e tyre që të marrin pjesë aty.
“Përshëndetje për të gjithë! Nesër më datë 09.01.2025 do të ketë një mbledhje në kafen Loft prej orës 18:30. Është një lloj organizimi nga Lëvizja Vetëvendosje, ku do të jetë prezent edhe kryeministri i Kosovës. Do të ketë muzikë dhe pije.
Mundësisht dërgojeni këtë mesazh nëpër klasët e juaja dhe m’i dërgoni sot emrat e nxënësve të cilët do të jenë pjesëmarrës” – është mesazhi që ka shkuar dje në një grup të Këshillit të Nxënëseve, raporton Nacionale.
Ky mesazh ka shkaktuar reagime në këtë grup, ku sipas fotografive “screenshot” , disa persona kanë deklaruar se nuk është e drejtë që nxënësit të përfshihen në fushata zgjedhore.
“Çështjes politike dhe aq më pak ngjarjet politike, nuk është e drejtë të përfshihen tek nxënësit e shkollës tonë, e sidomos në institucionet edukativo-arsimore sikur shkollat. Jo rastësisht nuk është e lejuar që shkollat të përfshihen në fushata politike.
Shumë nxënës të shkollës sonë ende nuk gëzojnë të drejtë vote, fokusi ynë duhet të jetë tek mbrojtja e vlerave të Gjimnazit, si një nga institucionet më authoritative dhe me plot vlera në komunën tonë” – ka shkruar njëra nga pjesëtaret e grupit.