Qeveria ka 60 ditë afat për t’ia kthyer Behgjet Pacollit paratë për Grandin, shuma rreth 7 milionë euro

Gati 20 vjet pas tentativës së dështuar për privatizimin e Hotelit Grand në Prishtinë, shteti i Kosovës do t’i paguajë mbi 7 milionë euro kompanisë Mabco Construction, që fitoi gjyqin në arbitrazhin ndërkombëtar në fillim të janarit.

Kjo kompani, në pronësi të Behgjet Pacollit, deputet dhe ish-president i Kosovës, pretendon se i është bërë padrejtësi, pasi ka paguar për aksione të hotelit që nuk i mori kurrë. Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka pranuar se do të duhet ta kryejë këtë pagesë, por ka theksuar se “Grandi do të mbetet në pronësi të Kosovës”.

Një recepsion i gjerë, me dollapë të vegjël që mbajnë çelësat e dhomave, është pamja e parë që të shfaqet në hyrje të Hotelit Grand në Prishtinë. Megjithatë, pritja e mysafirëve nuk është aktualisht aktiviteti më i zakonshëm në këtë objekt, që është në pronësi publike.

Së voni, në të djathtë të recepsionit, shpesh shihen fleta të bardha me mbiemra familjesh dhe shigjeta orientuese, që drejtojnë për në salla ku organizohen pritje ngushëllimesh në raste vdekjesh.

Kjo është një nga mënyrat sesi po përdoren sallat e hotelit sot, i cili në vitet ’70 kishte namin si një nga hotelet më të mëdha në ish-Jugosllavi.

Në Grand janë vendosur gjithashtu disa biznese dhe organizata joqeveritare, të cilat operojnë në hapësirat e këtij objekti me një sipërfaqe prej rreth 32.000 metrash katrorë.

I ndërtuar në vitin 1978, hoteli ka gjithsej 350 dhoma, por, sipas deklarimeve të fundit në media të menaxhmentit, aktualisht janë funksionale vetëm rreth 150 prej tyre, me pagesë prej rreth 20 eurosh në natë.

Prania e tij online është pothuajse inekzistente, përfshirë në platformat ndërkombëtare për udhëtime si Booking, ndërsa ueb-faqja zyrtare e hotelit nuk funksionon.