‘O shpirt i mamit, o dielli im’/ Përmallohet Parashqevi Simaku, takimi i parë me të birin

Takimi i munguar prej vitesh dhe i shumëpritur i këngëtares Parashqevi Simaku dhe djalit të saj, Luke Nolfe ishte emocionues për vetë protagonistët e kësaj historie, por edhe për publikun që ndoqi disa momente nëpërmjet ‘Instagram-it’ të biznesmenit Elton Ilirjani, që ndihmoi për këtë ribashkim.

Ilirjani ndau disa çaste nga takimi i nënë e bir, ku I pranishëm ishte dhe ish-bashkëshorti i këngëtares dhe babai i djalit, Robert Nolfe.

‘Ai është nervoz. Faleminderit, Zoti të bekoftë ty Elton dhe Zoti bekoftë Robertin’, u shpreh në fillim këngëtarja, teksa dukej qartë emocioni që po përjetonte dhe mirënjohja për ata që e ndihmuan të bënte ëndrrën e saj realitet.

‘O shpirt i mamit, o dielli im’, i drejtohet ajo djalit, ndërsa e pyet nëse mban mend gjë nga Shqipëria, po ai përgjigjet: ‘Jo’.

I pyetur nga Elton Ilirjani, Luke Nolfe pohoi se ndihet mirë që ritakoi pas shumë vitesh nënën e tij.

Elton Ilirjani: Luke si ndihesh, ndihesh mirë

Luke Nolfe: Po

Elton Ilirjani: E do nënën tënde?

Luke Nolfe: Po

Elton Ilirjani: Si e gjete… të pëlqen pamja këtu, është një pamje shumë e bukur

Luke Nolfe: Më pëlqen

‘Luka e dëgjoi gjashtë herë këngën ‘E duam lumturinë’. U krenua me nënën e vetë! Nuk e prisja këtë reagim pozitiv pas kaq shumë vitesh. Dashuria triumfoi sërish dhe gjithmonë do të triumfojë. Dashuria nuk blihet me para. Kjo histori nuk kishte nevojë për para dhe këtë ma mësoi Parashqevi Simaku’, u shpreh Ilirjani që dëshmoi takimin e rrallë familjar.

Ndërsa vetë këngëtarja, pas takimit përshkroi në një tjetër video ndjesitë e saj.

‘Një falënderim për këtë engjëllin që bëri një mrekulli për mua, nuk e harroj sat ë vdes. Një përshëndetje shpirtërore nënës së tij, që u bë shkak që Eltoni të linte luksin e Majemit dhe të vinte këtu. Nuk e harroj sa të ves, e ka derën e zemrës të hapur, edhe djali, edhe Roberti kanë të njëjtën dashuri’.

Për Eltonin, me realizimin e këtij takimi, u vu në vend amaneti i nënës së tij, që ndonëse është në gjendje të rënduar shëndetësore, i kërkoi të birit të bashkojë Parashqevinë me djalin.

‘Heroina e kësaj historie është Hanko Ilirjani, që më rriti me dashuri dhe këngët e Parashqevi Simakut. Ajo edhe pse e sëmurë në shtrat, më tha: Aspak nuk je i pasur nëse nuk gjen dhe bashkon Parashqevinë me djalin! Kot thua që jetoj në New York’, shprehet biznesmeni.